Transmetuar më 17-09-2026, 10:08

Prishtinë, 17 shtator 2026 – Një dokument hetimor i vitit 2000 ka rikthyer në vëmendje rastin e Behajdin Allaqit, një prej rasteve të përfshira në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë. Dokumenti përmban deklarimin e bashkëshortes së tij, Nazmije Allaqi, e cila kishte raportuar se burri i saj ishte marrë nga policia serbe në Drenovc.

Sipas dokumentit, më 21 nëntor 2000, Nazmije Allaqi kishte raportuar zhdukjen e bashkëshortit të saj, duke deklaruar se ai ishte zhdukur që prej 11 qershorit 1998. Në raport thuhet se ajo kishte deklaruar se Behajdin Allaqi ishte marrë nga policia serbe dhe se prej asaj kohe nuk kishte pasur më informacion për të.

Dokumenti është bërë publik pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale më 16 shtator 2026, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtorë për një sërë krimesh të përfshira në aktakuzë. Gjykata e ka lidhur edhe rastin e Behajdin Allaqit me përgjegjësinë penale të Hashim Thaçit.

Sipas përfundimeve të Trupit Gjykues, Allaqi ishte larguar nga shtëpia më 11 qershor 1998 dhe kishte shkuar në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Gjykata ka konstatuar se më pas në atë vend mbërritën Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët e morën Allaqin në pranga. Sipas aktgjykimit, ai nuk u pa më dhe Trupi Gjykues arriti në përfundimin se ishte vrarë.

Në arsyetimin e Gjykatës është përmendur edhe një konflikt i mëparshëm mes Allaqit, Thaçit dhe Azem Sylës, i lidhur me Shaban Shalën, i cili dyshohej nga ata si bashkëpunëtor i Serbisë. Sipas Trupit Gjykues, ky konflikt ishte një nga elementet e marrëdhënies mes palëve që u morën në konsideratë në vlerësimin e rastit.

Gjykata ka argumentuar gjithashtu se, para zhdukjes së tij, Allaqi ishte nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së dhe se Thaçi dhe Veseli kishin kërkuar informacion për praninë e tij në shtabin e UÇK-së në Drenoc.

Në aktgjykim është trajtuar edhe Komunikata nr. 61 e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e publikuar më 1 nëntor 1998, ku thuhej se Behajdin Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë. Sipas Gjykatës, kjo komunikatë ishte përdorur për të fshehur të vërtetën mbi fatin e tij.

Ndërkohë, dokumenti i vitit 2000 sjell deklarimin e bashkëshortes së Allaqit, e cila dy vjet pas zhdukjes së tij u kishte thënë autoriteteve se ai ishte marrë nga policia serbe. Ky element nuk përcakton, i vetëm, se cili version mbi fatin e Allaqit është i saktë, por ngre pyetje mbi mënyrën se si është trajtuar kjo dëshmi dhe nëse ajo ka qenë pjesë e materialeve të shqyrtuara gjatë procesit në Hagë.

Për të përcaktuar peshën që ky dokument mund të ketë në raport me përfundimet e Gjykatës, nevojitet shqyrtimi i aktgjykimit të plotë dhe i referencave konkrete të provave të administruara në proces. Vetë Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se Trupi Gjykues kishte në dispozicion një material të gjerë provues, që përfshinte rreth 270 dëshmitarë, 5,467 prova materiale dhe më shumë se 29 mijë faqe transkripte.

Dokumenti mund të bëhet pjesë e analizës së mëtejshme juridike të çështjes, veçanërisht nëse mbrojtja e përdor për të argumentuar mbi vlerësimin e provave që lidhen me fatin e Behajdin Allaqit. Megjithatë, publikimi i këtij dokumenti nuk mjafton, në vetvete, për të përmbysur përfundimet e një aktgjykimi të bazuar në tërësinë e provave të administruara nga Gjykata.

Rasti i Allaqit ishte një nga episodet e trajtuara në procesin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, gjyqi i të cilëve kishte nisur më 3 prill 2023. Procedurat provuese u mbyllën në dhjetor 2025, ndërsa Gjykata shpalli aktgjykimin më 16 shtator 2026.

ARSYETIMI GJYKATES:

…“Gjithashtu, z. Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme që përfshinin si vijon. Përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike dhe përdorimit të “luftës speciale”, z. Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Z. Thaçi gjithashtu mori pjesë personalisht në krime, përfshirë në arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Baicë, në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit, dhe kishte dijeni për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë. Në lidhje me Behajdin Allaqin, Trupi Gjykues konstatoi se në vitin 1993, Behajdin Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën, të cilët e akuzuan se kishte sjellë një spiun të pretenduar të Serbisë, Shaban Shalën, në radhët e lëvizjes politike të cilës i takonin, me çka i kishte vënë në rrezik të madh anëtarët e lëvizjes. Kjo rezultoi në marrjen prej z. Thaçi të rolit që i ishte premtuar Behajdin Allaqit. Trupi Gjykues gjithashtu ka konstatuar se para zhdukjes së tij, Behajdin Allaqi kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kishin kërkuar të informoheshin për praninë e tij në shtabin e UÇKsë në Drenoc. Më 11 qershor 1998, ose rreth kësaj date, Behajdin Allaqi u nis prej shtëpisë së vet dhe shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Pak më pas, mbërritën z. Thaçi dhe Kadri Veseli. Ata e morën Behajdin Allaqin në pranga. Behajdin Allaqi nuk u pa më kurrë dhe Trupi Gjykues është bindur se ai u vra. Për të fshehur përgjegjësinë, personat në fjalë ndërmorën masa të ndryshme. Më 1 nëntor 1998, u publikua Komunikata 61 nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ku thuhej se Behajdin Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë. Kjo ishte mbulesë që kishte për qëllim të fshihte të vërtetën për atë që i kishte ndodhur Behajdin Allaqit. Po kështu, pas luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Azem Syla u përpoqën të qetësonin familjen e Behajdin Allaqit me ryshfet dhe premtime në mënyrë që të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe i së vërtetës. Është meritë e jashtëzakonshme e familjes që u rezistoi këtyre ofertave. Edhe Shaban Shala ishte 24 arrestuar dhe keqtrajtuar nga UÇK-ja në Drenoc. Edhe ai u vra në rrethanat e përshkruara në Aktgjykim”, tha gjyqtari Charles Smith

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit