

Bledar Bakaj del sot para Gjykatës së Fierit, pritet masa e sigurisë për 52-vjeçarin. 52-vjeçari dyshohet se plagosi me drapër Erver G. në Suk të Roskovecit dhe se kishte shkelur një urdhër mbrojtjeje. Bakaj ka mohuar akuzat dhe ka thënë se do të flasë para gjykatës
Daja i deputetes socialiste, Zegjine Çaushi ka vendosur të flasë vetëm para togave të zeza. Bledar Bakaj ka mbërritur këtë të enjte në Gjykatën e Fierit, ku pritet të njihet me masën e sigurisë pas ndalimit të tij tre ditë më parë.
52-vjeçari dyshohet se plagosi me drapër Erver Gremajn, 67 vjeç, në fshatin Suk të Roskovecit.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë do të zhvillohet me prokurore Oljana Gjergjefi dhe gjyqtare Bora Shaholli.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, kur Bakaj dyshohet se ka shkuar në banesën e 67-vjeçarit dhe gjatë konfliktit e ka goditur me drapër në këmbë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se 52-vjeçari kishte shkelur një urdhër mbrojtjeje të vendosur nga gjykata në favor të ish-bashkëjetueses së tij. Ai dyshohet se ka shkuar në banesën ku ndodhej ajo, ku më pas ka ndodhur edhe konflikti me 67-vjeçarin.
Në Komisariatin e Fierit, Bakaj ka mohuar akuzat për abuzim ndaj 34-vjeçares dhe ka deklaruar se do të flasë para gjykatës.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






