

Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare, ku në qendër të vëmendjes do të jenë disa interpelanca urgjente të kërkuara nga opozita, si dhe shqyrtimi i një sërë projektligjesh me rëndësi. Punimet do të startojnë me miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar dhe njoftimet zyrtare, për të vijuar më pas me ballafaqimin me kabinetin qeveritar.
Rendi i ditës parashikon pesë interpelanca, katër prej të cilave janë iniciuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me drejtuesit e Mjedisit, Punëve të Brendshme, Arsimit dhe Shëndetësisë. Ndërkohë, një tjetër kërkesë është paraqitur nga deputeti Blendi Himçi për Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pas debatisht me anëtarët e qeverisë, ligjvënësit do të kalojnë në shqyrtimin dhe votimin e disa nismave ligjore. Mes tyre veçohen ratifikimi i konventave ndërkombëtare që lidhen me dëmshpërblimet për Ukrainën dhe përdorimin e inteligjencës artificiale. Gjithashtu, në rendin e ditës përfshihen ndryshimet në statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, marrëveshjet për sektorin e ullirit, projektligji për disenjot si dhe rregullimet mbi kontrollin e shoqërive me ofertë publike.
Në pjesën e fundit të seancës, parlamentarët do të votojnë ndryshimet në përbërjen dhe drejtimin e komisioneve të përhershme, për t’i lënë hapësirë diskutimeve të lirë për çështje jashtë rendit të ditës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






