

Yjet e muzikës botërore me origjinë shqiptare, Dua Lipa dhe Rita Ora, i janë bashkuar valës së reagimeve pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Përmes platformave të tyre në rrjetet sociale, dy artistet kanë shprehur hapur mbështetjen për çlirimtarët dhe solidaritetin me popullin e Kosovës.
Dua Lipa ka ndarë me miliona ndjekësit e saj në Instagram logon zyrtare të UÇK-së, të shoqëruar me slloganin domethënës “Liria ka emër”. Në një tjetër postim, ajo ka publikuar bilancin tragjik të agresionit serb gjatë luftës, duke risjellë në vëmendjen e opinionit ndërkombëtar të dhënat mbi një milion refugjatët, 11 mijë të vrarët, mes të cilëve mbi mijëra fëmijë, 20 mijë gratë e dhunuara dhe mijëra të zhdukurit.
Nga ana tjetër, edhe Rita Ora ka reaguar në llogarinë e saj zyrtare duke publikuar stemën e UÇK-së mbi logon “Image of Kosovo”. Këngëtarja e ka shoqëruar imazhin me një mesazh prekës, ku kujton se prapa asaj embleme qëndron ndershmëria dhe sakrifica e atyre që luftuan për ta bërë Kosovën shtëpinë e lirë që është sot.
Qëndrimi i dy artisteve me ndikim global vjen në një moment të ngarkuar emotivisht, duke i dhënë jehonë ndërkombëtare reagimeve të shumta që kanë përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe mbarë diasporën shqiptare pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë.



Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






