

PRISHTINË – Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëpandehurve të tij.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Dodik e cilësoi vendimin gjyqësor si një “karikaturë drejtësie”, duke pretenduar se procesi nuk ka trajtuar siç duhet, sipas tij, krimet e kryera ndaj serbëve në Kosovë.
Thaçi u dënua me 25 vite burgim pasi u shpall fajtor për krime lufte, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
“Është e turpshme që vrasja sistematike e serbëve në Kosovë dhe Metohi nuk u kualifikua si krim lufte kundër njerëzimit, por përkundrazi duket sikur ata vdiqën si kalimtarë aksidentalë”, shkroi Dodik.
Ai e akuzoi Thaçin se kishte pasur rol drejtues në UÇK dhe pretendoi se përgjegjësitë e tij nuk janë trajtuar në masën që, sipas tij, duhet të ishin trajtuar nga gjykata.
Dodik kritikoi gjithashtu kohën e gjatë të procesit gjyqësor, duke argumentuar se fakti që gjykimi u zhvillua rreth 25 vite pas përfundimit të luftës ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar çështja.
“E kemi ditur prej kohësh se nuk ka drejtësi apo ligj në Hagë, por tani e dimë me siguri se nuk ka as respekt dhe as dhembshuri për viktimat serbe”, deklaroi ai.
Në vijim, Dodik pretendoi se vonesa në zhvillimin e procesit kishte ndikuar në trajtimin e krimeve të luftës, duke e lidhur këtë me atë që ai e konsideron si mungesë drejtësie për viktimat serbe.
Reagimi i Dodikut vjen pas një dite me reagime të shumta politike në Kosovë, Serbi dhe rajon, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






