

Media europiane Euractiv, me seli në Bruksel, i ka kushtuar një artikull zhvillimit të sektorit financiar shqiptar, duke e vendosur Shqipërinë në kontekstin e transformimit digjital që po ndryshon bankingun në Europë.
Në fokus të analizës është edhe Jet Bank, e prezantuar si banka e parë plotësisht digjitale dhe pa degë fizike në Ballkanin Perëndimor; një model që, sipas ekspertëve të cituar, përfaqëson një zhvillim të ri për tregun financiar shqiptar.
Sipas Elvin Mekës, zëvendësrektor dhe dekan në Tirana Business University College, teknologjia i jep Shqipërisë mundësinë të kapërcejë disa etapa tradicionale të zhvillimit bankar. Bankingu pa degë fizike, sipas tij, mund të kontribuojë njëkohësisht në përfshirjen financiare dhe formalizimin e ekonomisë.
Euractiv e lidh këtë progres me ndryshimet që po ndodhin në nivel europian. PSD2 hapi rrugën për open banking dhe më shumë konkurrencë në shërbimet e pagesave, ndërsa BE-ja po avancon drejt PSD3 dhe Payment Services Regulation, me synimin për një treg financiar më të integruar dhe kushte më të barabarta për bankat dhe operatorët e rinj.
Eurodeputeti Andi Cristea thekson se Europa nuk ka nevojë për 27 tregje të veçanta të bankingut digjital, por për një treg të vetëm. Kjo perspektivë është veçanërisht e rëndësishme për modele si Jet Bank, të ndërtuara që në fillim mbi infrastrukturë digjitale dhe me potencial për t’u zgjeruar përtej tregut vendas.
Artikulli evidenton gjithashtu afrimin e sektorit bankar shqiptar me standardet europiane. Sipas Mekës, bankingu është ndër sektorët më të harmonizuar të ekonomisë shqiptare me BE-në, ndërsa SEPA dhe zhvillimi i open banking krijojnë një bazë të fortë për integrim të mëtejshëm.
Në këtë panoramë, Jet Bank paraqitet nga Euractiv si një rast konkret i potencialit të Shqipërisë për të zhvilluar banka digjitale me mundësi reale rritjeje në rajon dhe, në të ardhmen, në një treg europian gjithnjë e më të integruar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






