

PRISHTINË – Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Grenell e cilësoi dënimin si “skandaloz” dhe kërkoi ndërprerjen e financimit për gjykatat ndërkombëtare, duke argumentuar se ato marrin vendime politike.
“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz”, shkroi Grenell.
Ai kritikoi ashpër gjyqtarët dhe prokurorin e çështjes, duke pretenduar se procesi ishte i ndikuar politikisht.
Grenell deklaroi gjithashtu se këshilltarë të ish-presidentit amerikan Bill Clinton kishin bërë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.
“Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Grenell kërkoi që Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm amerikan Todd Blanche të veprojnë për ndërprerjen e financimit të këtyre institucioneve.
Ai iu drejtua edhe institucioneve të Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e Kuvendit që të ndërmarrin hapa për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.
“Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, shkroi Grenell.
Reagimi i tij vjen pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat dënuan Hashim Thaçin me 25 vite burgim për krime lufte, ndërsa e shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar apelimin e vendimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






