

PRISHTINË – Disa qytetarë kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në qendër të Prishtinës, pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit kanë shprehur pakënaqësi ndaj kryeministrit Albin Kurti, të cilin e bëjnë përgjegjës për situatën e krijuar pas dënimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Gjatë protestës janë dëgjuar edhe thirrje kundër Kurtit, përfshirë “Albin, hajde poshtë”.
Protestuesit e akuzojnë kryeministrin se nuk ka bërë mjaftueshëm për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
Më herët, një protestë e ngjashme u zhvillua pranë ndërtesës së EULEX-it në zonën industriale të Prishtinës, ku gjithashtu u hodhën gurë në drejtim të godinës së Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit.
Protestat zhvillohen pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat dënuan katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, me dënime që variojnë nga 13 deri në 25 vite burgim.
Situata në Prishtinë mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe shmangie të akteve të dhunës apo dëmtimit të pronës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






