Transmetuar më 16-09-2026, 14:36

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Kurti e ka cilësuar vendimin si “padrejtësi të papranueshme” dhe ka kritikuar dënimet e dhëna ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, deklaroi Kurti.

Sipas kryeministrit, fakti që aktgjykimi është shpallur formalisht “në emër të popullit të Kosovës” nuk do të thotë se ai përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”, u shpreh ai.

Kurti tha se vendimi duhet të kundërshtohet në Gjykatën e Apelit dhe bëri thirrje që procesi të vijojë sa më shpejt.

“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e Apelit, dhe atë sa më parë”, tha Kurti.

Ai shprehu solidaritet me familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe me bashkëluftëtarët e tyre.

Duke iu referuar historikut të akuzave ndaj UÇK-së, Kurti përmendi edhe pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, si dhe zhvillimet që, sipas tij, lidhen me akuzat e ngritura në Këshillin e Evropës.

“Me akuzat në KiE nga deputeti rus dhe serb, nisi gjithçka më 15 prill 2008, por ne duhet të sigurohemi që asgjë nuk përfundoi sot”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se aktgjykimi i shpallur sot, sipas tij, ka rrëzuar një prej pretendimeve më të rënda ndaj UÇK-së.

“Aktgjykimi i sotëm rrëzoi pretendimin më të rëndë, se UÇK-ja kishte kryer sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile”, përfundoi Kurti.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit