Transmetuar më 16-09-2026, 14:29

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u dënuan në total me 81 vite burgim.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Haradinaj e cilësoi vendimin e gjykatës si “të papranueshëm dhe të padrejtë”, ndërsa theksoi se beteja ligjore duhet të vijojë në shkallën e dytë të gjykimit.

“Shqiptarë, kudo që ndodheni, vendimi i sotëm i gjykatës është i papranueshëm dhe i padrejtë”, u shpreh Haradinaj.

Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte një luftë çlirimtare dhe tashmë beteja duhet të vazhdojë përmes rrugës ligjore.

“UÇK-ja bëri luftë të drejtë çlirimtare. Beteja me drejtësinë duhet të vazhdojë dhe të fitohet në shkallën e dytë, jo në emrin tim, jo në emrin e popullit të Kosovës, këtë vendim dënues”, deklaroi ai.

Haradinaj iu drejtua gjithashtu qytetarëve të Kosovës me thirrje për qetësi, duke paralajmëruar se çdo akt dhune apo dëmtim i pronës do të ishte në dëm të vendit.

“Qytetarë të Kosovës, shqiptarë, Kosovën ta ruajmë”, tha ai.

“Për Kosovën dhamë jetë, është gjëja më e çmuar e kombit tonë. I ndihmojmë armiqtë nëse dëmtojmë pronën tonë dhe në çfarëdo mënyre tjetër”, përfundoi Haradinaj.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit