Transmetuar më 16-09-2026, 14:25

Qeveria ka vendosur të riaktivizojë Bordin e Transparencës për çmimet e karburanteve, pasi çmimi i naftës ka qëndruar mbi 220 lekë për litër për më shumë se dy javë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila deklaroi se vendimi lidhet me mekanizmin e përcaktuar më herët për ndërhyrjen ndaj çmimeve të karburanteve.

Sipas Ibrahimajt, çmimi i naftës ka qëndruar në rreth 222 lekë për litër për më shumë se dy javë. Për këtë arsye, qeveria ka aktivizuar mekanizmin që parashikon reduktimin e akcizës në rast se çmimi kalon pragun prej 220 lekësh.

“Sot morëm një vendim që e kemi diskutuar prej disa kohësh për riaktivizimin e Bordit të Transparencës për çmimin e karburanteve. Duke qenë se çmimi prej më shumë se dy javësh qëndron në 222 lekë për litër dhe duke qenë se kemi marrë një vendim paraprakisht që sa herë çmimi të kalojë 220 lekë, ne do të aktivizojmë një mekanizëm për reduktimin e akcizës, atëherë mekanizmi i vetëm përmes të cilit ne mund të aktivizonim reduktimin e akcizës ishte ringritja e bordit”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja tha se aktualisht nuk ka një afat të përcaktuar se sa do të zgjasë funksionimi i Bordit të Transparencës.

Ajo shtoi se tregu i karburanteve do të monitorohet në vijim, ndërsa vendimet do të varen nga ecuria e çmimeve.

Rikthimi i Bordit të Transparencës vjen në një periudhë kur çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje dhe kanë qëndruar mbi nivelin e përcaktuar nga qeveria si prag për aktivizimin e mekanizmit të ndërhyrjes.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit