Transmetuar më 16-09-2026, 14:17

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Ahmeti e ka cilësuar vendimin si “të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes”, ndërsa ka bërë thirrje për maturi dhe unitet në Kosovë dhe te shqiptarët.

“Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është një vendim që e konsideroj të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes”, shkroi Ahmeti në reagimin e tij.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin tensionet dhe përçarjet, duke theksuar se, sipas tij, nuk duhet lejuar që vendimi të përdoret për të njollosur luftën e UÇK-së.

“UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës”, deklaroi Ahmeti.

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë, Ahmeti përmendi edhe pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, duke theksuar se ato nuk u përfshinë si akuza në këtë proces.

Ai gjithashtu tha se gjykata, sipas tij, i ka shpallur të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit dhe ka konstatuar se UÇK-ja kishte si objektiv pavarësinë e Kosovës.

“Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale”, shkroi lideri i BDI-së.

Ahmeti u shpreh gjithashtu se beteja juridike për katër ish-krerët e UÇK-së nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë.

“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”, tha ai.

Në përmbyllje, Ahmeti e cilësoi luftën e UÇK-së si luftë për liri dhe tha se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet.

“Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel”, përfundoi Ahmeti.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit