

Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj klientit të tij si një “tallje me drejtësinë” dhe ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë vendimin.
Pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, Prosper pretendoi se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzoi Dhomat e Specializuara për, siç u shpreh ai, “rishkrim të historisë”, duke pretenduar se UÇK-ja po paraqitet si një strukturë e organizuar dhe se përgjegjësia për veprimet e saj po i atribuohet Thaçit.
“Kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare dhe fundi i tribunaleve”, deklaroi Prosper pas shpalljes së aktgjykimit.
Avokati tha se kishte komunikuar me Thaçin dhe se do ta takojë sërish, duke theksuar se ish-presidenti i Kosovës është i vendosur të vijojë betejën ligjore.
“Thaçi është i gatshëm të vazhdojë të luftojë për veten dhe për popullin e Kosovës”, tha Prosper.
Sipas avokatit, shpresa e mbrojtjes është që vendimi të rrëzohet në procedurën e apelit. Megjithatë, ai paralajmëroi se procesi mund të zgjasë disa vite.
Prosper foli edhe për reagimin e tij gjatë momentit të shpalljes së vendimit, duke treguar se ishte goditur emocionalisht nga formulimi i përdorur nga gjykatësi.
“Godita kokën me grushte kur gjykatësi tha: ‘Në emër të popullit të Kosovës’”, rrëfeu ai.
Avokati bëri gjithashtu thirrje që Kuvendi i Kosovës të shqyrtojë raportin dhe marrëdhënien me Dhomat e Specializuara, duke argumentuar se Kosova duhet të marrë një vendim që, sipas tij, është në interesin më të mirë të vendit.
“Nëse do të isha deputet, që nga nesër do ta tërhiqja mbështetjen për këtë gjykatë”, u shpreh Prosper.
Edhe avokatët e të dënuarve të tjerë kanë paralajmëruar se do t’i apelojnë aktgjykimet e shpallura nga Gjykata Speciale në Hagë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






