

HAGË – Situatë e tensionuar është krijuar këtë të mërkurë jashtë ambienteve të Gjykatës Speciale në Hagë, pas shpalljes së vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mijëra shqiptarë ishin mbledhur pranë godinës së gjykatës për të ndjekur nga afër zhvillimet dhe për të mësuar vendimin. Menjëherë pas shpalljes së dënimit, situata jashtë gjykatës është tensionuar.
Në pamjet e publikuara nga fotografi holandez Bob van Keulen shihen përplasje mes disa prej të pranishmëve dhe policisë holandeze. Në video dallohen gjithashtu disa persona që shoqërohen nga forcat e rendit.
Disa prej pjesëmarrësve janë përpjekur të qetësojnë turmën dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës, ndërsa forcat e policisë kanë ndërhyrë për të kontrolluar turmën.
Pamjet tregojnë një prani të shtuar të forcave të sigurisë në zonën përreth gjykatës, ndërsa tensionet janë rritur pas njoftimit të vendimit.
Deri në këto momente nuk janë bërë të ditura detaje të plota mbi numrin e personave të shoqëruar apo nëse ka persona të lënduar nga incidentet.
Zhvillimet jashtë Gjykatës Speciale vijojnë, ndërsa pritet të ketë më shumë informacion nga autoritetet holandeze dhe institucionet përkatëse në Hagë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






