

Pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Prishtinë kanë nisur tubimet në mbështetje të tyre.
Qytetarë dhe mbështetës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur në bulevardin kryesor të kryeqytetit, ku kanë nisur një marshim duke shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Speciale.
Në total, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë dënuar me 81 vite burgim.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas Gjykatës, Thaçi u mbajt penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Jakup Krasniqi u shpall fajtor për krime lufte dhe u dënua me 25 vjet burg, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Trupi gjykues e shpalli Veselin fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Ndërkohë, Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas trupit gjykues, Selimi u gjet fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






