Transmetuar më 16-09-2026, 12:29

Në Gjykatën e Hagës që u ligjërua nga Kuvendi i Kosovës dekadën e kaluar, është kthyer në armikun e ish drejtuesve të UÇK-së dhe shtetit të Kosovës pasi sot u dhanë dënime deri 62 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit.

Në bashkim të dënimeve, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka shpallur dënimin final ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.

Të katër të akuzuarit janë shpallur fajtorë për katër pika të krimeve të luftës, ndërsa u gjetën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Por çfarë ndodh tani?

Hashim Thaçi, ish kryeministër dhe ish President, është 59 vjeç. Ai mori 25 vite burg. Deri tani ka vuajtur gjashtë vjet të cilat llogariten 9 në total. Nëse vuan të gjithë dënimin, Thaçi del nga burgu 75 vjeç nëse do të jetë gjallë dhe nëse vendimi nuk pëson ndryshime.

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u dënua edhe ai me 25 vjet burg nga 62 për të gjitha akuzat. Ai është 75 vjeç dhe mund të dalë nga qelia vetëm 91 vjeç çka rrit shanset që ai të mos dalë i gjallë nga burgu.

Kadri Veseli, ish shef i shërbimit informativ të Kosovës dhe më tej kryetar i Parlamentit të vendit, u dënua me 18 vjet burg. Ai është 59 vjeç dhe nëse vuan këtë dënim, mund të dalë vetëm pasi të mbushë 68 vjeç.

Rexhep Selimi, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm është 55 vjeç. Ai ishte deputet i Vetëvendosjes. Për të u dhanë 13 vjet burgim dhe mund të dalë kur të mbushë 59 vjeç nëse e vuan të gjithë dënimin.

Tani mbetet që katër themeluesit e UÇK, të apelojnë vendimin për të parë nëse ai do të ndryshohet. Gjyqi i shkallës së parë zgjati 6 vjet, por tani nuk është e qartë se kohë mund të marrë Apeli. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit