

Trupi gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë ka konstatuar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka inkurajuar drejtpërdrejt kryerjen e krimeve ndaj kundërshtarëve politikë, duke dhënë "kontribut thelbësor" në zbatimin e asaj që u përcaktua si plan i përbashkët kriminal.
Sipas gjyqtarit Charles Smith, Thaçi nuk mbeti thjesht një figurë e informuar, por mori pjesë vetë në disa prej krimeve, duke përfshirë edhe rastin e arrestimit, ndalimit dhe marrjes në pyetje të 13 parlamentarëve. Trupi gjykues theksoi se ai kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera ndaj kundërshtarëve, veçanërisht raste keqtrajtimi dhe vrasjeje, por nuk ndërmori asnjë hap konkret për t’i ndaluar apo ndëshkuar.
"Thaçi dha kontribut të qenësishëm për zbatimin e këtij plani. Ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e tij," deklaroi Smith gjatë leximit të aktgjykimit. Sipas tij, shumë prej personave besnikë ndaj Thaçit, të cilët u ngritën në detyrë, kryen vetë krime ose ishin në dijeni të plotë të tyre, në përputhje me qëllimin e përbashkët të grupit.
Gjyqtari specifikoi se Thaçi inkurajoi kryerjen e krimeve përmes komunikatave dhe deklaratave politike të publikuara, si dhe nëpërmjet përdorimit të asaj që u përshkrua si "luftë speciale", duke shprehur tolerancë ndaj veprimeve kundër kundërshtarëve.
Mes rasteve konkrete të përmendura nga trupi gjykues ishte ai i Behajdin Hallaçit, i cili më 11 qershor 1998 shkoi vetë në shtabin e UÇK-së, ku u mor në pranga nga vetë Thaçi dhe Kadri Veseli. Ai nuk u pa më kurrë dhe, sipas bindjes së trupit gjykues, u vra. Pas përfundimit të luftës, sipas gjykatësit, Thaçi dhe Veseli u përpoqën t’i ofronin ryshfet familjes së viktimës, me qëllim që kjo e fundit të hiqte dorë nga kërkimi i së vërtetës. Në aktgjykim u përmend edhe rasti i Shaban Dahalës, po ashtu i vrarë.
Trupi gjykues konkludoi se Thaçi jo vetëm ishte në dijeni të krimeve, por mori pjesë personalisht në to, i inkurajoi dhe ngriti në detyrë personat përgjegjës për kryerjen e tyre.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






