

Gjatë leximit të aktgjykimit në Hagë, gjyqtari Charles Smith zbuloi detaje të rënda mbi mënyrën se si u trajtuan qindra persona nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës së konfliktit.
Sipas tij, mes prillit 1998 dhe qershorit 1999, në 14 komuna të Kosovës, anëtarë të UÇK-së kryen veprime ose mosveprime ndaj 385 personave që nuk ishin pjesë e luftimeve. "Trupi gjykues konstaton se Zyra e Prokurorit të Specializuar i vërtetoi krimet e luftës," deklaroi Smith.
Sipas përshkrimit të gjyqtarit, shumë prej viktimave u arrestuan drejtpërdrejt në shtëpitë e tyre ose në rrugë, ndërsa një pjesë e tyre u përballën me rrahje, keqtrajtim dhe konfiskim të sendeve personale. Provat e paraqitura gjatë procesit treguan se ndalimet ndodhnin nën akuzën e të qenit "bashkëpunëtorë" ose "spiunë", shpesh mbi bazën e thjeshtë të thashethemeve, pa asnjë provë konkrete lidhjeje me veprimtari kriminale apo kërcënim ndaj vetë UÇK-së.
Mes personave të ndaluar, sipas gjyqtarit, kishte mësues, bujq, si dhe raste ku përfshiheshin gra dhe fëmijë. Shumë prej tyre, tha Smith, u mbajtën të lidhur me zinxhirë gjatë periudhës së ndalimit.
Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se qendrat e ndalimit të përdorura në atë kohë, të vendosura si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ofronin kushte çnjerëzore, duke përfshirë ambiente si shkolla, stalla dhe bodrume, të shndërruara në vende paraburgimi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






