Transmetuar më 16-09-2026, 09:41

Pas më shumë se tre vitesh proces gjyqësor, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë sot, në orën 10:00, aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Vendimi do të vijë nga Trupi Gjykues II, i përbërë nga tre gjyqtarë me të drejtë vote dhe një gjyqtar rezervë.

Në krye të trupit gjykues qëndron gjyqtari amerikan Charles L. Smith III, i cili ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor të Shteteve të Bashkuara, ku ka shërbyer për vite si gjyqtar në shtetin e Iowa-s. Përvojën e tij në drejtësinë ndërkombëtare e ka thelluar edhe si gjyqtar i EULEX-it në Kosovë, duke përfshirë shërbimin pranë Gjykatës Supreme të vendit. Aktualisht, Smith kryeson trupin gjykues që ka ndjekur çështjen ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara.

Anëtar i këtij trupi është edhe gjyqtari gjerman Christoph Barthe, i cili vjen me një përvojë të konsiderueshme në drejtësinë penale dhe atë ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si prokuror publik pranë Gjykatës Federale të Drejtësisë në Gjermani, duke u marrë ndër të tjera edhe me dosje të lidhura me krime lufte dhe gjenocid. Gjatë procesit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Barthe ka qenë pjesë e trupit që ka shqyrtuar drejtpërdrejt provat dhe dëshmitë e paraqitura.

I treti anëtar me të drejtë vote është gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux, një emër i njohur në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare. Karriera e tij përfshin përvojë si avokat mbrojtës dhe këshilltar pranë disa gjykatave ndërkombëtare, si dhe angazhim në struktura të drejtësisë ndërkombëtare. Aktualisht, Mettraux mban edhe titullin e profesorit të së drejtës penale ndërkombëtare.

Rolin e gjyqtarit rezervë e mban irlandezi Fergal Gaynor, i cili ka një përvojë të gjerë në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, e ndërtuar edhe përmes angazhimit të tij pranë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën, si dhe atij për ish-Jugosllavinë. Në procesin aktual ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Gaynor qëndron gati si gjyqtar zëvendësues i trupit gjykues.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit