Transmetuar më 16-09-2026, 09:36

Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka ngritur zërin lidhur me rreziqet e mundshme të inteligjencës artificiale, duke deklaruar se ky teknologji "mund të bëhet i rrezikshëm nëse nuk e menaxhojmë siç duhet". Sipas New York Times, ai i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të marrë përsipër formësimin e politikave dhe qeverisjes lidhur me këtë çështje.

Deklaratat e tij erdhën gjatë një aktiviteti privat për mbledhjen e fondeve, në një moment kur gjithnjë e më shumë ligjvënës amerikanë po kërkojnë vendosjen e rregullave më të rrepta për sistemet e inteligjencës artificiale. Kjo valë kërkesash ka ardhur pas paralajmërimeve alarmante nga dy studiues të Anthropic, të cilët kanë theksuar se përparimi i shpejtë i industrisë mbart rrezikun e zhdukjes së racës njerëzore.

"Kjo është diçka që po evoluon shumë shpejt në duar private, dhe nëse nuk e marrim nën kontroll, mendoj se mund të bëhet e rrezikshme," u shpreh ish-presidenti.

Sipas një transkripti të pjesshëm të deklaratave, siguruar nga zyra e Obamës dhe cituar nga NYT, ai ka inkurajuar gjithashtu Udhëheqësin e Pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, që të drejtojë një debat publik mbi politikën e inteligjencës artificiale, në rast se demokratët rimarrin kontrollin e Dhomës gjatë zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit. "Sapo të bëheni Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, do t’u rekomandoja fuqimisht demokratëve të krijojnë një kornizë për një debat shumë publik," i ka thënë Obama Jeffries-it, sipas gazetës.

Ish-presidenti u ka bërë thirrje po ashtu kandidatëve të garës presidenciale të vitit 2028 që ta vendosin inteligjencën artificiale në qendër të axhendës së tyre politike, duke paraqitur plane të qarta për adresimin e shqetësimeve të lidhura si me sigurinë, ashtu edhe me pasojat ekonomike të kësaj teknologjie.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit