

Canberra po vëzhgon nga afër përpjekjet e Kanadasë për të thelluar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, ndërsa edhe Australia kërkon rrugë për të diversifikuar lidhjet e saj tregtare në një kohë proteksionizmi në rritje global.
"Jemi në të njëjtën linjë," u shpreh ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, në një intervistë për "Sydney Morning Herald". "Do të ndjekim me shumë interes atë që do të bëjë Carney," shtoi ai, duke iu referuar kryeministrit kanadez Mark Carney.
Kanadaja aktualisht kërkon të ndërtojë me BE-në një "aleancë unike", pa synuar anëtarësim të plotë në bllok – një lëvizje që vjen teksa Otava përballet me përshkallëzim të luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara. Ministri australian nuk dha detaje konkrete nëse vendi i tij po ndjek aktualisht një marrëdhënie të re formale me BE-në, apo çfarë forme do të mund të merrte kjo.
Ngjashëm me Kanadanë, edhe Australia po kërkon të zgjerojë opsionet e saj tregtare, pasi është prekur nga tarifat amerikane mbi një sërë produktesh eksporti, pavarësisht aleancës së saj afatgjatë të sigurisë dhe marrëveshjes ekzistuese të tregtisë së lirë me Uashingtonin.
Sipas "Wall Street Journal", bisedimet mes Kanadasë dhe BE-së po eksplorojnë mundësinë e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe punonjësve kanadezë në sektorë strategjikë si energjia, inteligjenca artificiale, mbrojtja dhe mineralet kritike. Negociatat përfshijnë gjithashtu projekte të përbashkëta infrastrukturore – nga kabllot nënujore dhe qendrat e të dhënave, deri te ruajtja "cloud", rrjetet satelitore dhe infrastruktura për transportin e energjisë kanadeze drejt Evropës.
Farrell theksoi se Australia mbetet e hapur ndaj mundësive për marrëveshje të reja me bllokun evropian. "Bota po ndahet mes proteksionistëve dhe mbështetësve të tregtisë së lirë," deklaroi ai, duke shtuar se "prosperiteti i Australisë gjatë 50 viteve të fundit ka ardhur padyshim nga angazhimi ynë me botën."
Kujtojmë se Australia dhe Bashkimi Evropian nënshkruan në mars të këtij viti një marrëveshje të tregtisë së lirë, pas tetë vitesh negociata, duke hequr tarifat për pothuajse të gjitha kategoritë e mallrave.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






