Transmetuar më 16-09-2026, 08:49

Pak para nisjes së seancës në Hagë, situata jashtë Dhomave të Specializuara u tensionua, teksa qindra shqiptarë të mbledhur në pritje të verdiktit për katër ish-krerët e UÇK-së u përballën me kërkesat e forcave të rendit holandeze.

Policia u kërkoi disa herë protestuesve të largoheshin nga hyrja e gjykatës dhe të zhvendoseshin drejt parkut ku autoritetet kishin lejuar zhvillimin e protestës. Efektivët paralajmëruan se, në rast mosbindjeje, do të detyroheshin të përdornin forcën për t’i larguar.

Ky paralajmërim shkaktoi reagime të menjëhershme mes disa prej të pranishmëve, të cilët nisën të drejtonin fjalë fyese ndaj policëve holandezë, duke krijuar momente tensioni dhe përplasje verbale. Situata u qetësua vetëm pas urdhrit të tretë të lëshuar nga policia, kur thirrjet ndaj efektivëve pushuan.

Në mes të këtyre momenteve, Hysni Gucati, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), iu drejtua protestuesve me një apel të drejtpërdrejtë për qetësi. "S’kemi punë me policinë holandeze," u shpreh ai, duke i nxitur të pranishmit të shmangnin çdo lloj përplasjeje me autoritetet vendase.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit