Transmetuar më 16-09-2026, 08:41

Mobilizimi i shqiptarëve ka nisur në Hagë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur pranë selisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës, në pritje të shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Pamjet nga vendngjarja tregojnë grupe qytetarësh të mbledhur para Gjykatës Speciale, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te vendimi që pritet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Aktgjykimi i shkallës së parë për katër ish-drejtuesit e UÇK-së pritet të shpallet sot, në përfundim të një procesi gjyqësor që ka zgjatur disa vite. Në prag të kësaj ngjarjeje, në zonën pranë Gjykatës Speciale janë mbledhur shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme, në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së. Në vendngjarje janë parë edhe flamuj të UÇK-së, teksa atmosfera është shoqëruar nga një mobilizim i dukshëm i qytetarëve që kanë udhëtuar posaçërisht për të qenë të pranishëm gjatë ditës së vendimit.

Ndërkohë, edhe brenda Kosovës vijon mobilizimi në pritje të aktgjykimit. Në Prishtinë është zhvilluar aktiviteti "Flaka e Lirisë", ndërsa në shesh janë vendosur portretet e katër të pandehurve – Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi.

Katër ish-krerët e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa ekipet e tyre mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e plotë të tyre. Vendimi që pritet sot përbën aktgjykim të shkallës së parë, ndaj të cilit mund të ushtrohet ankim si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit