

Viti i ri shkollor ka nisur me një rritje të ndjeshme të kostove për familjet që kanë zgjedhur arsimin privat. Disa shkolla private kanë shtrenjtuar tarifat e shkollimit nga 15 deri në 20%, që në nisje të vitit të ri shkollor, duke prekur të treja ciklet e studimeve – të ulët, 9-vjeçar dhe të mesëm. Si shkak për rritjen janë përmendur ngritja e pagave të mësuesve, si dhe tarifat e transportit.
Ky shtrenjtim nuk ka ndikuar vetëm në buxhetin familjar, por ka çuar edhe në zhvendosjen e një numri të konsiderueshëm nxënësish drejt shkollave publike. Vetë mësuesit e pranojnë se arsyeja kryesore e këtij fenomeni mbetet rritja e kostos së shkollimit.
Faturat mujore në shkollat private përbëhen kryesisht nga tre zëra: tarifa e studimit, ushqimi dhe transporti. Për ta ilustruar, në një prej shkollave private, tarifa mujore për një fëmijë të ciklit të ulët ishte më parë 15 mijë lekë studim, 5 mijë lekë transport dhe 6 mijë lekë ushqim, gjithsej 26 mijë lekë në muaj. Pas rritjes, tarifa e studimit u ngrit në 19 mijë lekë, transporti në 6 mijë lekë dhe ushqimi në 7 mijë lekë, duke e çuar totalin mujor në 31 mijë lekë – një shtim prej 5 mijë lekësh, ose rreth 19%.
Për një familje me dy fëmijë në një shkollë me tarifa të larta, kjo rritje e bën koston e shkollimit të papërballueshme. Si pasojë, disa shkolla private raportojnë largim nxënësish në numër që shkon nga 3 deri në 7 për klasë, ndërkohë që klasat në këto shkolla zakonisht kanë nga 15 deri në 20 nxënës – çka do të thotë se në një klasë me 20 nxënës, largimi i 7 prej tyre përbën rreth 35% të efektivit.
Në një tjetër shkollë private të ciklit të ulët, rritja vjetore e tarifave arrin në rreth 500 euro, ose 15% më shumë, krahasuar me koston e arsimit publik.
Një element tjetër që po ndikon në zgjedhjen e prindërve është zgjerimi i shërbimit "pas shkolle", një projekt pilot i zbatuar aktualisht në disa klasa të arsimit publik, që u mundëson fëmijëve të qëndrojnë në ambientet e shkollës edhe pas përfundimit të orëve mësimore. Ky shërbim, i cili përfshin edhe kohë studimi, ka qenë deri tani një nga avantazhet kryesore të shkollave private, duke bërë që shumë prindër t’i preferojnë ato për orarin më të zgjatur.
Megjithatë, programi publik i "pas shkolles" nuk parashikon ofrimin e vaktit të drekës, një shërbim që do të rëndonte ndjeshëm buxhetin e shtetit. Sipas llogaritjeve të Ministrisë së Arsimit, nëse ky program do të zbatohej për të gjithë sistemin 9-vjeçar në vend, nga klasa e parë deri në të nëntën, kostoja vjetore do të arrinte rreth 203 milionë euro.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






