Transmetuar më 16-09-2026, 07:37

Rreth një e katërta e të punësuarve deklarohen me pagë deri në 50 mijë lekë në muaj, ndërsa po rritet njëkohësisht pesha e punonjësve në fashat e larta të pagave, sipas të dhënave zyrtare mbi ecurinë e pagave në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Ndryshimi në strukturën e pagave lidhet me rritjen e pagës minimale në fillim të vitit, por edhe me rritjen e pagave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe konkurrencën më të fortë mes bizneseve për të tërhequr apo mbajtur punonjësit.

Në fund të vitit 2025, para rritjes së pagës minimale, rreth një e treta e të punësuarve merrnin deri në 50 mijë lekë. Konkretisht, 12.8% paguheshin deri në pagën minimale prej 40 mijë lekësh, ndërsa 21% merrnin nga 40,001 deri në 50 mijë lekë. Në total, këto dy kategori përbënin 33.8% të të punësuarve.

Brenda gjashtë muajve, pesha e punonjësve me pagë deri në 50 mijë lekë u reduktua me rreth 8 pikë përqindje. Një pjesë e këtij ndryshimi erdhi nga vetë rritja e pagës minimale, e cila zhvendosi në fashën përkatëse punonjës që më parë deklaroheshin me paga më të ulëta.

Paralelisht, po rritet edhe pesha e punonjësve me paga më të larta, duke sinjalizuar një ndryshim gradual të strukturës së pagave drejt niveleve më të larta. Gati gjysma e të punësuarve, ose 48.3%, merrnin mbi 75 mijë lekë në muaj në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Rritje shënohet edhe në nivelin e pagës mbi 95 mijë lekë, ku bëjnë pjesë 32.1% e të punësuarve, nga 29.4% që ishin në të njëjtin nivel në tremujorin e katërt të 2025-ës. Veçanërisht shtohet pesha e punësimit mbi 120 mijë lekë – 17.1% e totalit në tremujorin e dytë të 2026-ës, krahasuar me 14.1% në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në rritjen e peshës së pagave më të larta mund të kenë ndikuar disa faktorë. Mungesa e fuqisë punëtore, e lidhur edhe me emigracionin dhe tkurrjen e popullsisë në moshë pune, po e detyron shumë biznese në sektorë të ndryshëm të ofrojnë paga më të larta për të gjetur dhe mbajtur stafin.

Një tjetër faktor është rritja e sektorit publik dhe efekti që kjo ushtron mbi sektorin privat, për profesionet ku shteti konkurron me bizneset për të njëjtën fuqi punëtore. Po ashtu, rritja e kostos së jetesës gjatë viteve të fundit po nxit kërkesën e punonjësve për paga më të larta, ndërsa kompanitë që përballen me mungesë personeli po bëjnë korrigjime më të shpejta të pagave.

Struktura e punësimit po ndryshon, me një peshë gjithnjë e më të madhe të sektorëve që paguajnë mbi mesataren, ndërsa aktivitetet me paga më të ulëta po përballen me vështirësi në mbajtjen e punonjësve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit