Transmetuar më 15-09-2026, 22:53

Gazetari i Euronews në Kosovë, Xhemajl Rexha, raportoi për emisionin "Now me Erla Mëhillin" nga sheshi "Skënderbej" në qendër të Prishtinës, 12 orë para vendimit në Hagë, ku qytetarët janë mbledhur në atë që është pagëzuar si "Nata e Pritjes".

Në shesh janë mbledhur një numër i madh qytetarësh, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, si dhe përfaqësues politikë të PDK-së. Ata kanë ndezur "zjarret e lirisë" dhe pritet të qëndrojnë në shesh, në pritje të verdiktit që do të shpallet nesër, në orën 10:00.

Ndërkohë, edhe në Skënderaj, në zemër të Drenicës dhe vendlindjen e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë mbledhur qytetarë për të pritur vendimin.

Gazetari përshkroi një atmosferë ankthi, pritjeje dhe pasigurie që mbizotëron në vend, teksa qytetarët presin jo vetëm vetë verdiktin, por edhe pasojat që mund të vijnë pas tij. Sipas tij, në sheshin ku dikur u zhvillua "Marshi për Lirinë" për ish-krerët e UÇK-së, tashmë janë mbledhur veteranë të luftës, politikanë të PDK-së, familjarë dëshmorësh dhe familjarë të të katërve që ndodhen në Hagë, të gjithë me flamuj të UÇK-së, duke qëndruar në pritje deri në mesnatë, me shpresën për të parë verdiktin e së nesërmes.

Situatë e ngjashme raportohet edhe në Skënderaj, zemra e Drenicës dhe vendlindja e tre prej të pandehurve, ku po ashtu është mbledhur një numër i madh banorësh për të pritur së bashku momentin e shpalljes së vendimit.

Sipas gazetarit, bindja e shumicës në Kosovë është se askush nuk e njeh paraprakisht verdiktin final, ndërsa pasiguria mbetet e madhe jo vetëm për fatin e katër ish-krerëve të UÇK-së, por edhe për zhvillimet që mund të pasojnë në vend pas shpalljes së vendimit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit