Transmetuar më 15-09-2026, 22:46

Pavarësisht polemikave të ashpra që ka pasur në të kaluarën me Hashim Thaçin, Sali Berisha shprehet se nga Haga pret vetëm pafajësi për ish-krerët e UÇK-së, duke i cilësuar ata "heronj të çlirimit të Kosovës".

Në reagimin e tij, Berisha thekson se çdo vendim i gjykatës duhet respektuar, ndërkohë që kundërshton çdo kërcënim që mund t’i bëhet Kosovës, rendit dhe sigurisë së saj.

"Nesër në Hagë, gjykata, pas një procesi të zgjatur gjashtëvjeçar, shpall vendimin e marrë kohë më parë për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës. Të gjithë ata që me interes të veçantë kanë ndjekur këtë proces, nuk kanë dëgjuar apo lexuar një provë të vetme që mbështet akuzat për të cilat ata u arrestuan," shkruan ish-presidenti.

Sipas tij, "për çdo shqiptar, për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës mund të ketë vetëm një vendim: pafajësinë dhe vetëm pafajësinë e tyre." Berisha shprehu shpresën që ata të kthehen "të pafajshëm siç janë, kryelartë, heronj të çlirimit të Kosovës."

Ndërkohë, ai theksoi se çdo kërcënim ndaj Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj, në rast të një vendimi të ndryshëm nga Gjykata e Hagës, mbetet "absolutisht i papranueshëm, absurd dhe i dënueshëm." Berisha përfundoi duke deklaruar se "Kosova nuk mund të paguajë asgjë për një vendim gjyqësor të padrejtë."

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit