

Zhvillohet në Hangzhou të Kinës Lindore mbledhja e 21-të e Tryezës së Rrumbullakët Kinë-BE
Në qytetin Hangzhou të Kinës Lindore u mbajt dje edicioni i 21-të i Tryezës së Rrumbullakët Kinë-BE midis Këshillit Ekonomik e Shoqëror të Kinës (CESC) dhe Komitetit Ekonomik e Shoqëror Evropian (EESC).
Tridhjetë e shtatë përfaqësues nga Kina dhe Evropa zhvilluan diskutime të thelluara mbi tema si pakësimi i varfërisë, tregtia e investimet dhe inteligjenca artificiale.
Wang Dongfeng, zëvendëskryetar dhe sekretar i përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe kryetar i Këshillit Ekonomik e Shoqëror të Kinës, mbajti një fjalim.
Në këtë fjalim Wang tha ndër të tjera që Kina dhe Bashkimi Evropian duhet të mbeten të përkushtuar ndaj partneritetit të tyre, hapjes e përfshirjes, si edhe multilateralizmit, për të ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje me respekt e besim të ndërsjellë më të madh, përfitime të përbashkëta, si edhe barazi e drejtësi. Ai shtoi se Kina është e gatshme të punojë me BE-në për të shfrytëzuar mekanizmin e Tryezës së Rrumbullakët Kinë-BE, për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Tryeza e Rrumbullakët e Shoqërisë Civile Kinë-BE u themelua në vitin 2007 pas një vendimi të marrë në Samitin e 9-të Kinë-BE të mbajtur në kryeqytetin finlandez Helsinki. Delegacionet e Këshillit Ekonomik e Shoqëror të Kinës dhe Komitetit Ekonomik e Shoqëror Evropian takohen rregullisht për të diskutuar për çështje ekonomike dhe shoqërore me interes të përbashkët.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






