

KOSOVË – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë pezulluar bisedimet për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për kreun e shtetit.
LDK-ja, e cila ka 18 deputetë në Kuvend, ka bërë të ditur se nuk do të zhvillojë takime të reja me LVV-në për këtë çështje, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e procesit të konstituimit të legjislaturës së re.
“Nuk ka takime, pa vendim të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Edhe nga LVV-ja është konfirmuar se gjatë kësaj jave nuk është planifikuar takim me përfaqësuesit e LDK-së.
Në qendër të situatës është bërë kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila më 14 shtator e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese procesin e konstituimit të Kuvendit. PDK-ja ka kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme.
Sipas PDK-së, gjatë procesit të konstituimit janë shkelur afatet kushtetuese, përfshirë afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit dhe rregullat për thirrjen e seancave çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit.
Gjykata Kushtetuese nuk ka konfirmuar nëse e ka marrë në shqyrtim kërkesën e PDK-së apo nëse do të vendosë masë të përkohshme.
Ndërkohë, marrëveshja e arritur më 31 gusht mes LVV-së dhe LDK-së për nominimin e Bekim Sejdiut për president ka dështuar për shkak të mungesës së votave të nevojshme.
Sipas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, Sejdiu kishte mbështetjen e 74 deputetëve, ndërsa për zhvillimin e votimit për president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit.
Pas kësaj situate, Sejdiu njoftoi tërheqjen nga gara.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si president, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura”, deklaroi Sejdiu.
Tashmë, partitë politike duhet të gjejnë një kandidat të ri për president nëse duan të shmangin një krizë të re institucionale.
Analisti politik Dritëro Arifi vlerëson se LVV-ja dhe LDK-ja duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të rikthehen në tryezën e negociatave.
Sipas tij, nëse Gjykata konstaton se konstituimi i Kuvendit është bërë në përputhje me Kushtetutën, marrëveshja për presidentin mund të arrihet shpejt.
Në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 13 shtator, ndërsa më 4 tetor përfundon mandati i Albulena Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të përcaktojë nëse partitë do t’i rikthehen negociatave për zgjedhjen e presidentit apo Kosova do të përballet me një tjetër krizë politike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






