Transmetuar më 15-09-2026, 14:01

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi në Komisionin e Ligjeve se vonesa e Kuvendit për ndërhyrjen ligjore mbi pagat e gjyqtarëve nuk duhet të kthehet në përplasje mes pushteteve.

Gogu theksoi se afati i Kuvendit kishte përfunduar më 31 korrik, por shtoi se nisma e re synon të korrigjojë këtë vonesë, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kompetencat e Kuvendit. Sipas tij, nuk ka nevojë për justifikime nga asnjëra palë, por për veprim të shpejtë: "Jam këtu për të mbështetur një nismë tuajën dhe mendoj se duhet vepruar me shpejtësi."

Ministri vuri në dukje se ngarkesën e muajit gusht, periudhë kur nuk zhvillohen seanca, e kanë mbajtur sekretaria gjyqësore, gjyqtarët e masave të sigurisë, si dhe nëpunësit gjyqësorë e të administratës, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me këtë projekt dhe mbeten jashtë kësaj mosmarrëveshjeje, duke shprehur për ta një keqardhje të veçantë.

Gogu argumentoi se çështja qendrore e debatit nuk është sa duhet të marrë një gjyqtar, por kush ka kompetencën të vendosë për formulën e pagës. "Këtë nuk e them unë, por Gjykata Kushtetuese. E vendos Kuvendi dhe e vendos me ligj," u shpreh ai, duke shtuar se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të zgjidhet përmes marrjes së kompetencave nga institucione të tjera.

Ai theksoi se arkitektura kushtetuese nuk mund të ndryshohet sipas nevojave të çastit, pasi formula e pagës prek buxhetin e shtetit dhe kompetenca për ta caktuar i takon Kuvendit. Sipas ministrit, boshllëku ligjor i krijuar nga vonesa nuk mund të mbushet me kompetenca të reja të marra në mënyrë të nxituar.

Duke u ndalur te parimet e reformës në drejtësi të vitit 2016 – integriteti, llogaridhënia dhe efikasiteti – Gogu vlerësoi se integriteti është realizuar me kosto të madhe institucionale, ndërsa llogaridhënia ka mbetur kryesisht në letër. "Pavarësia pa llogaridhënie rrëshqet drejt papërgjegjshmërisë," deklaroi ai, duke theksuar se asnjë pushtet nuk mund të mbështetet vetëm te aftësia për të korrigjuar veten.

Ministri përfundoi duke rikonfirmuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, por gjithnjë duke respektuar edhe rendin kushtetues të kompetencave mes pushteteve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit