

Një 21-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Durrës, pasi u kap me 297 doza të dyshuara heroine dhe kokaine, të cilat dyshohet se i posedonte për t’i shitur në zona të ndryshme të qytetit.
Operacioni është zhvilluar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", në kuadër të aksioneve kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas policisë, gjatë operacionit të koduar "Pikat", në lagjen nr. 16 të Durrësit u arrestua shtetasi J. K., 21 vjeç, banues në Shkozet. Gjatë kontrollit, efektivët i gjetën të riut sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, të ndara në doza të gatshme për shpërndarje. Në total u sekuestruan 129 doza të dyshuara heroine dhe 168 doza të dyshuara kokainë.
Policia dyshon se 21-vjeçari i kishte ndarë lëndët narkotike në doza me qëllim shitjen e tyre në zona të ndryshme të qytetit. Materialet procedurale në ngarkim të tij i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






