

Flora Brovina është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Ajo ishte mjeke pediatre, poete dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, e njohur për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve në Kosovë.
Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Flora Brovina ishte një nga figurat kryesore në organizimin e ndihmës për civilët dhe viktimat e dhunës. Ajo themeloi dhe drejtoi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, e cila ofronte ndihmë mjekësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës seksuale dhe të të drejtave të njeriut.
Në vitin 1999, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, Brovina u arrestua nga autoritetet serbe dhe u dënua me 12 vjet burg për "aktivitet terrorist". Ajo u lirua më 1 nëntor 2000, pas ndërhyrjes ndërkombëtare dhe largimit të forcave serbe nga Kosova.
Pas luftës, Flora Brovina vazhdoi angazhimin e saj në politikë dhe shoqëri. Ajo u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës në vitin 2001, u bë anëtare e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në qershor 2002 dhe e kryesisë së partisë në tetor 2006. Ajo u rizgjodh në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të viteve 2004, 2007 dhe 2010, duke qenë vazhdimisht aktive në promovimin e të drejtave të grave dhe fëmijëve, si dhe në proceset e shtetndërtimit në Kosovë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






