

Policia belge ka arrestuar tetë persona në kuadër të një hetimi për një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës, i cili dyshohet se përdorte portin e Anversës për importimin e drogës. Hetimi kishte nisur rreth një vit më parë, pas informacionit se në një apartament në Anversë ruheshin sasi të mëdha kokaine.
Në fokus të hetuesve doli fillimisht një 48-vjeçar, banor i apartamentit në fjalë, i dyshuar si ndërmjetës mes grupeve nga Shqipëria dhe Amerika Latine dhe rrjeteve të kontrabandës në Europë e Australi. Sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Anversës, Kristof Aerts, i dyshuari koordinonte grupet që merreshin me dërgimin, nxjerrjen dhe shpërndarjen e drogës, duke ofruar edhe mënyra të ndryshme trafikimi, përfshirë mundësinë e sigurimit të ndihmës nga punonjës sigurie. Gjatë hetimit u sekuestruan më herët dy ngarkesa kokaine, përkatësisht 46 dhe 53 kilogramë.
Në qershor, hetimet zbuluan se i dyshuari kryesor kishte kontakte me një shqiptar 52-vjeçar, i kërkuar ndërkombëtarisht nga Italia për një vrasje të kryer në Milano në vitin 1997. Bëhet fjalë për Gert Gjeneralin, i njohur me nofkën "Gjenerali", i cili dyshohet se në atë kohë vrau një rival brenda një spitali në Milano, duke përdorur një armë të fshehur mes një buqete me lule. Pothuajse tri dekada më vonë, ai u arrestua në Anversë nga ekipi FAST i Policisë Federale belge, ndërsa procesi i ekstradimit të tij drejt Italisë vazhdon ende.
Të mërkurën u kryen kontrolle në disa banesa në Anversë, Berchem, Deurne, Kapellen, Bruksel, Evere, Sint-Agatha-Berchem dhe Sint-Joost-ten-Node, ku u arrestuan tetë persona, mes tyre ndërmjetësi kryesor dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Gjatë kontrolleve, policia gjeti armë zjarri dhe municione të fshehura, jelekë antiplumb, bllokues sinjali, shuma të mëdha parash, një makinë për numërimin e kartëmonedhave, pasaporta dhe karta shtypi të falsifikuara, si dhe presa e kallëpe të përdorura për prodhimin e blloqeve të kokainës.
Më pas, gjyqtari hetues paraqiti gjashtë të dyshuar përpara gjykatës. Nga këta, katër u arrestuan, një person u lirua me kushte dhe një tjetër u la i lirë pa kushte. Hetimi gjyqësor, i drejtuar nga Policia Federale Gjyqësore e Anversës, vazhdon.
Ky operacion u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me vende të tjera dhe me Europolin, çka mund të çojë edhe në arrestime shtesë jashtë Belgjikës. Si pasojë e këtij hetimi, në Shqipëri është sekuestruar tashmë një ngarkesë prej 37 kilogramësh kokainë, e fshehur brenda një kontejneri frigoriferik.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






