

Jasin Kala, i njohur edhe si Jasin Avdyli, i dënuar me 12 vite burg në Shqipëri në kuadër të dosjeve "339" dhe "Volvo 4", është arrestuar në Belgjikë gjatë një operacioni ndërkombëtar antidrogë.
Arrestimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit mes SPAK, Policisë së Shtetit dhe autoriteteve belge. 58-vjeçari, banues në Shijak, ishte dënuar për përfshirje në një grup kriminal të hetuar në kuadër të dosjes "Volvo 4", ndërsa mes akuzave ndaj tij figuronte edhe aktiviteti i lidhur me një laborator për përpunimin e heroinës në Has. Arrestimi në Belgjikë pritet të pasohet nga procedurat përkatëse ligjore për vuajtjen e dënimit të dhënë nga drejtësia shqiptare.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, arrestimi është pjesë e një faze të re të operacionit ndërkombëtar të koduar "The Wanted", realizuar në bashkëpunim me homologët belgë. Në kuadër të kësaj faze, shtetasi u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga GJKKO si pjesëtar i një grupi kriminal të akuzuar për trafikimin dhe shitjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në disa shtete.
Lokalizimi dhe kapja e tij u bënë të mundura falë bashkëpunimit të ngushtë mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve belgë, në kuadër të një hetimi mbi trafikimin e lëndëve narkotike. Shtetasi ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim të datës 4 prill 2023, i kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim të veçantë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për "Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" dhe "Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se 58-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe shitjen e tyre në shtete të ndryshme. Gjithashtu, dyshohet se të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari kriminale janë investuar në dy pasuri të paluajtshme (lokale) në Shijak.
Bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve belgë vazhdon për finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasit të arrestuar drejt Shqipërisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






