

Gjykata e Lartë ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë për kreun e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke lënë në fuqi masën "arrest me burg" ndaj kryebashkiakut.
Sipas njoftimit zyrtar, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur më 15 shtator 2026 në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me kërkues Erion Veliaj dhe palë të interesuar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Objekt i shqyrtimit ishte kërkesa për shfuqizimin e disa vendimeve të mëparshme gjyqësore, përfshirë vendimin nr. 7 të datës 9 shkurt 2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, të vlerësuar më pas nëpërmjet vendimeve të tjera të kësaj gjykate, të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe të vetë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja "e" të Kodit të Procedurës Penale, vendosi lënien në fuqi të Vendimit nr. 13, datë 13 mars 2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Shpenzimet gjyqësore u ngarkuan në subjektin e interesuar.
Veliaj po hetohet për 13 akuza penale dhe po gjykohet në GJKKO bashkë me një numër të madh të pandehurish, përfshirë edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Kryebashkiaku ndodhet në burg që nga data 10 shkurt 2025.
Më herët, Gjykata Kushtetuese ia kishte rikthyer Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës për masën e sigurisë të Veliajt, me argumentin se duhej arsyetuar përse nuk ishte e përshtatshme zbatimi i një mase tjetër, përveç arrestit në burg.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






