

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas një qeverisjeje 12-vjeçare, njoftoi se do të kandidojë për postin e kryeministrit në zgjedhjet e 25 tetorit, ndërsa mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën të hënën në Beograd.
Vuçiçi është përballur prej gati dy vitesh me protesta kundër korrupsionit, të udhëhequra nga studentët, të nisura pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor që shkaktoi vdekjen e 16 personave në qytetin e Novi Sadit, në nëntor 2024.
Të hënën në mbrëmje, mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Beogradit për të mbështetur kandidatët parlamentarë të lëvizjes "Studentët Fitojnë", lëvizja kryesore opozitare. Kandidatët dorëzuan firmat e certifikuara të mbështetësve të tyre, hap i parë për t’u përfshirë zyrtarisht në fletën e votimit.
Vuçiçi, i cili në qershor kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen pa përcaktuar një datë të saktë, shpalli më pas zgjedhjet e parakohshme për datën 25 tetor. "Dëshiroj t’ju informoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen si president," u shpreh ai në atë kohë. "Atë mbrëmje do t’i drejtohem kombit dhe do t’i falënderoj njerëzit për mbështetjen e tyre."
Disa parti opozitare, përfshirë Partinë Demokratike dhe lëvizjen "Kreni Promeni" ("Nis Ndryshimin"), janë zotuar të mbështesin lëvizjen studentore dhe nuk do të paraqesin kandidatët e tyre në garë.
Në protestën e së hënës, studentët mbanin flamuj serbë dhe brohoritnin sloganin "Studentët Fitojnë". "Ne, si studentë, duam ta rivendosim sistemin dhe të fillojmë gjithçka nga e para, në mënyrë që institucionet të mund të kryejnë detyrat e tyre," tha studenti Stefan Lukiç, pjesëmarrës në aktivitet.
Studentët dhe partitë opozitare akuzojnë Vuçiçin dhe aleatët e tij për korrupsion dhe për kontrollin e mediave – akuza që qeveria i mohon vazhdimisht.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






