Transmetuar më 15-09-2026, 08:53

Një automjet tip fuoristradë, i raportuar më parë si i vjedhur, është gjetur i djegur brenda një tuneli të vjetër ushtarak në zonën e Cërkovinës, në një rrugë të paasfaltuar që lidh këtë zonë me fshatrat përreth. Ngjarja u konstatua mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00.

Pas alarmit të dhënë për zjarr, në vendngjarje mbërritën ekipet e zjarrfikësve, të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve.

Në zonë u paraqitën gjithashtu forcat e Policisë dhe grupi hetimor, që nisën procedurat standarde të verifikimit.

Nga kontrolli i numrit të shasisë rezultoi se mjeti ishte raportuar i vjedhur disa kohë më parë në fshatin Panaja.

Hetimet po fokusohen tani në mundësinë që automjeti të jetë përdorur për veprimtari të paligjshme, përpara se të përfundonte i fshehur në tunel.

Pozicioni i mjetit, në një zonë të izoluar dhe të vështirë për t’u frekuentuar, ka bërë që prania e tij të mos vihej re më herët nga banorët e zonës.

Policia ka nisur marrjen dhe administrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë, me synim identifikimin e personave përgjegjës për lënien e automjetit në tunel dhe rindërtimin e itinerarit të tij.

Paralelisht, po punohet për të përcaktuar kohën e saktë të sjelljes së mjetit në zonë dhe qëllimin e mundshëm të përdorimit të tij.

Si pasojë e zjarrit, flakët përfshinë edhe një sipërfaqe me bimësi pranë tunelit, duke kërkuar ndërhyrje shtesë nga shërbimi zjarrfikës për kontrollin e situatës. Hetimet vazhdojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit