

TIRANË — Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT), në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministrinë e Mbrojtjes, ka shpallur një konkurs ndërkombëtar arkitekture për transformimin e ish-bazës ushtarake dhe Tunelit të Nëndetëseve në Porto Palermo në një kompleks të ri publik historiko-kulturor.
Projekti synon shndërrimin e Tunelit të Nëndetëseve — një strukturë nëntokësore me gjatësi rreth 655 metra e ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë me standarde mbrojtjeje antibërthamore — në Muzeun e Luftës së Ftohtë. Sipas termave të referencës së konkursit, vetë struktura e tunelit do të shërbejë si artefakti kryesor i ekspozitës muzeale.
Paralelisht me muzeun, plani parashikon rivitalizimin e ish-kazermave ushtarake, të cilat do të ripërdoren për shërbime akomodimi, gastronomi lokale dhe aktivitete edukativo-kulturore. Dokumentacioni i AKPT-së specifikon se ndërhyrja nuk synon krijimin e një destinacioni konvencional turistik apo maksimizimin e shtretërve, por zhvillimin e një modeli mikpritjeje të integruar me historinë dhe peizazhin natyror, me qëllim thithjen e vizitorëve edhe jashtë sezonit veror.
Zhvillimi i projektit do të bashkëekzistojë me funksionet ushtarake dhe mjedisore të zonës. Një pjesë e Porto Palermos, përfshirë molin e vogël dhe helipadin, do të vijojë të mbetet në përdorim operacional nga Forcat Detare Shqiptare. Po ashtu, ndërhyrjet do të respektojnë regjimin e mbrojtjes së Parkut Natyror të Gjirit të Porto Palermos, ndërsa Kalaja e Porto Palermos mbetet jashtë zonës së projektimit, duke u integruar vetëm si pjesë e peizazhit të përgjithshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






