

BERLIN — Bashkëkryetarja e partisë së djathtë radikale gjermane AfD, Alice Weidel, ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të gjithë ndihmës financiare e ushtarake për Ukrainën, duke pretenduar se Kievi duhet t’i kthejë Berlinit miliardat e dhëna që nga nisja e luftës.
Në një intervistë për rrjetin austriak AUF1, Weidel deklaroi se Ukraina duhet të kthejë shuma të konsiderueshme parash — duke i cilësuar si një detyrim që shkon deri në 70 miliardë euro — si dhe kërkoi kthimin e të rinjve ukrainas në moshë rekrutimi në vendin e tyre. Po ashtu, drejtuesja e AfD-së bëri thirrje për rivendosjen e furnizimit me "gaz të lirë rus" dhe mbulimin e kostove të dëmtimit të gazsjellësit Nord Stream nga ana e Kievit.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar menjëherë kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili hodhi poshtë me vendosmëri kërkesat e AfD-së. Merz konfirmoi se Gjermania do të vijojë mbështetjen ndaj Ukrainës, pasi sipas tij, Kievi po mbron edhe lirinë e Evropës.
Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë gjermane, që nga shkurti i vitit 2022, Gjermania ka alokuar mbi 43.3 miliardë euro ndihmë civile dhe ka parashikuar rreth 57.6 miliardë euro për mbështetje ushtarake. Reagimi i Weidel vjen në një kohë kur AfD po shënon rritje në sondazhet kombëtare me rreth 28% të mbështetjes, duke u kthyer në një nga subjektet kryesore politike në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






