Transmetuar më 14-09-2026, 20:10

TIRANË — Një seri postimesh në rrjetet sociale nga xhudistja lituaneze Marta Navickaitė gjatë Kampionatit Evropian të Universiteteve në Tiranë u shndërruan në objekt debati mediatik, pasi pretendimet e saj për kushte të këqija akomodimi u përhapën me shpejtësi në mediat rajonale.

Sportistja publikoi pamje të disa ambienteve të papastra dhe të një torte kos me pretendimin se i ishte shërbyer ushqim i prishur. Mirëpo, verifikimi i pamjeve tregoi se produkti ushqimor ishte thjesht kos i shoqëruar me një paketë reçeli për përzierje, ndërsa historia u amplifikua menjëherë nga tabloidi serb Kurir për ta paraqitur ngjarjen si një dështim të organizimit në Shqipëri.

Ndaj këtij buje ka reaguar drejtori i konvikteve, Olsi Shahini, i cili sqaroi se fotot e publikuara nga sportistja nuk i përkisnin dhomave ku ishte akomoduar delegacioni. Sipas tij, disa sportiste kishin hyrë në një bllok godine jashtë funksionit për të fotografuar mjediset e dëmtuara. Shahini konfirmoi se dhomat e caktuara për sportistët në Universitetin Bujqësor të Kamzës dhe te Ekonomiku ishin plotësisht të mobiluara e të përgatitura.

Ndërkohë, organizatorët publikuan edhe pamje të dhomave pas largimit të delegacionit lituanez, ku dukeshin mbeturina, shishe alkooli e uji të hedhura në dysheme, duke hedhur dritë mbi dinamikën reale të ngjarjes dhe duke përgënjeshtruar pretendimet për skandal organizativ.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit