Transmetuar më 14-09-2026, 17:21

TIRANË – Gjykata e Apelit të GJKKO-së ka pranuar kërkesën e ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të mos qëndruar më në kafazin e qelqtë gjatë seancave gjyqësore.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Saida Dollani, ka pranuar argumentet e paraqitura nga pala mbrojtëse. Në bazë të vendimit, në seancat e ardhshme Meta do të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë, në krah të avokatit të tij.

Vendimi lidhet me mënyrën e qëndrimit të Metës gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor. Ndërkohë, në orën 15:30, pritet të shqyrtohet edhe kërkesa tjetër e mbrojtjes, e cila lidhet me masën e sigurisë ndaj tij.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe po përballet me një hetim të SPAK, ku dyshohet për përfshirje në veprime të paligjshme financiare dhe korrupsion, së bashku me persona të tjerë.

Në kuadër të të njëjtit hetim është marrë nën hetim edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, ndaj së cilës SPAK ka ngritur dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të të ardhurave.

Për Kryemadhin dhe persona të tjerë të hetuar në këtë dosje janë caktuar masa më të lehta sigurie, përfshirë “detyrimin për t’u paraqitur” pranë Policisë Gjyqësore.

Seanca e radhës pritet të përcaktojë edhe qëndrimin e gjykatës lidhur me masën e sigurisë ndaj Ilir Metës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit