Transmetuar më 14-09-2026, 16:49

AFRIKË E JUGUT – Të paktën 21 persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në Afrikën e Jugut, ku dy minibusë taksi u përplasën ballë për ballë. Një automjet i tretë u përplas më pas me rrënojat, duke e rënduar bilancin tragjik të ngjarjes.

Aksidenti ndodhi rreth orës 23:30 të së dielës në autostradën N1, në segmentin mes qyteteve Prince Albert dhe Leeu-Gamka, në provincën Western Cape, rreth 380 kilometra në lindje të Cape Town.

Në përplasjen e fuqishme u përfshinë dy minibusë të markës Toyota dhe një automjet tip SUV Suzuki. Sipas raportimeve të mediave të huaja, 18 persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë ndërruan jetë më vonë në spital, për shkak të plagëve të marra.

Katër persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe ka hapur një çështje për vrasje të paqëllimshme. Deri tani nuk është përcaktuar shkaku që çoi në përplasjen ballore të dy minibusëve.

Minibusët taksi përbëjnë një nga format kryesore të transportit publik në Afrikën e Jugut dhe përfshihen shpesh në aksidente me pasoja të rënda.

Një tjetër aksident fatal i regjistruar gjatë fundjavës pranë Ermelos, në provincën Mpumalanga, u mori jetën tetë personave. Autoritetet vijojnë hetimet për të dyja ngjarjet.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit