

TIRANË – Një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” është pezulluar nga detyra pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet duke goditur me grusht një protestues të shoqëruar gjatë tubimit të zhvilluar sot në Rrugën e Durrësit, në Tiranë.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ka urdhëruar gjithashtu nisjen e një hetimi disiplinor ndaj efektivit, me inicialet J. H.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, hetimi do të fokusohet në dyshimet për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës, si dhe për veprime që mund të cenojnë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor.
“Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës”, thuhet në reagimin e institucionit.
Drejtoria e Standardeve Profesionale do të vijojë procedurat disiplinore për të përcaktuar përgjegjësinë e punonjësit lidhur me veprimet e tij gjatë protestës.
Policia e Shtetit deklaron se do të reagojë ndaj çdo shkeljeje të konstatuar nga punonjësit e saj dhe se standardet profesionale dhe respektimi i ligjit mbeten detyrim për çdo efektiv.
Reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi. Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






