

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra në platformën “X” ndaj deklaratave të kryetarit të Shoqatës së Gjyqtarëve, njëkohësisht gjyqtar i GJKKO-së, Engert Pëllumbi, lidhur me debatin për pagat dhe kërkesat e sistemit të drejtësisë.
Në një intervistë televizive, Pëllumbi u shpreh se fondet e kërkuara për rritjen e pagave nuk përbëjnë barrë të madhe për buxhetin, duke i krahasuar ato me vlerën e parave dhe pasurive që GJKKO sekuestron çdo vit nga krimi i organizuar. Megjithatë, ky arsyetim është hedhur poshtë me forcë nga kreu i qeverisë.
Reagimi i kryeministrit Rama: Krahasimet me administratën dhe shifrat e pagave
Rama e ka cilësuar deklaratën e gjyqtarit si një shkallë rrëqethëse paditurie mbi funksionimin e shtetit, duke theksuar se të ardhurat që mblidhen nga konfiskimet apo institucionet nuk i përkasin një kategorie të caktuar për t’u shpërndarë si paga të drejtpërdrejta.
Kryeministri solli në vëmendje një skenar hipotetik se çfarë do të ndodhte nëse punonjës të tjerë të shtetit do të kërkonin të merrnin fondet që vetë mbledhin:
“Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat… Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat!” – shprehet Rama.
Gjithashtu, kreu i qeverisë ndalet te diferencat e larta të shpërblimit financiar, duke paralajmëruar se nëse do të pranohej kërkesa e bërë pa ndryshimet e duhura ligjore, një gjyqtar fillestar do të paguhej 280% më lart (ose 3.8 herë më shumë) krahasuar me mësuesit, mjekët apo ushtarakët e vendit.
Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu!
Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit.
Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat!
Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari?
Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë. Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë.
— Edi Rama (@ediramaal) September 14, 2026
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






