

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndarë përshtypjet pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në krye të një delegacioni të Partisë Demokratike dhe si pjesë e delegacionit të IDU në Konventën e Partisë Republikane.
Në një prononcim për mediat, Berisha e cilësoi aktivitetin si konventën më të bukur të organizuar, duke e vlerësuar organizimin politik amerikan si një ngjarje me magji elektorale. Megjithatë, fokusi i tij ka qenë te paralelizmat mes këtij udhëtimi dhe vizitës së tij të parë në SHBA, plot 35 vite më parë.
Tri ngjashmëritë sipas Sali Berishës
Sipas kryetarit të opozitës, pavarësisht distancës kohore prej tre dekadash, ky udhëtim kishte tri pika të përbashkëta thelbësore me të theksuarat e vitit të parë të lëvizjes demokratike:
Pozita politike: Si në udhëtimin e parë, edhe në këtë vizitë Berisha është nisur drejt SHBA-së në cilësinë e liderit të opozitës, respektivisht të partisë më të madhe opozitare në vend.
Qëllimi i vizitës: Qëllimi kryesor mbetet kërkesa për mbështetje ndërkombëtare dhe të diasporës. Në atë periudhë mbështetja kërkohej për përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërsa sot, siç thekson ai, kundër asaj që e quan "diktaturë autoritare të bazuar te droga, krimi dhe vjedhja".
Sulmet e establishmentit: Berisha kujtoi se edhe në udhëtimin e tij historik së bashku me të ndjerin Gramoz Pashko për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, kundërshtarët dhe establishmenti i kohës i akuzuan si tradhtarë e agjentë, duke shtuar se edhe në vizitën e fundit sulmet mediatike dhe politike kanë qenë të shumta, të ndikuara nga larmia e madhe e mediave sot.
Në delegacionin e udhëtuar krahas kryetarit të PD-së kanë bërë pjesë edhe figura të tjera drejtuese të partisë, sekretarë për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe organizative, si dhe drejtuesja e Lidhjes Demokratike të Gruas (LDG).
Sali Berisha: Pas kthimit nga SHBA, ku së bashku me kryetarin e PR morëm pjesë në delegacionin e IDU si anëtarë delegacioni në Konventën Republikane të zgjedhjeve të mesmandatit, dhe sekretarin për marrëdhënien ndërkombëtare, sekretarin organizativ, nënkryetarin e partisë dhe kryetaren e LDG, morëm pjesë në konventën më të bukur të organizuar në SHBA. Dhe kur them në SHBA, kjo vetëkuptohet edhe në planetin tonë, pasi askush nuk e ka më të madhe fantazinë dhe magjinë elektorale dhe organizative të të konventave sa e kanë dy partitë e mëdha, dhe tani konkretisht partia në pushtet e SHBA, Partia Republikane.
Sa për hyrje, në mënyrë të çuditshme ky udhëtim sado që është 35 vite larg dhe po të doni thoni edhe vite drite larg udhëtimit tim të parë, i kishte 3 ngjashmëri me të. Së pari, në udhëtimin tim të parë dhe në këtë udhëtim unë shkoja në SHBA si kryetar i opozitës apo partisë më të madhe opozitare. Kjo është e vërteta. Së dyti, në atë udhëtim dhe në këtë udhëtim, unë shkova me një qëllim kryesor: të kërkoj mbështetjen e administratës së SHBA dhe të diasporës tonë, atëherë për përmbysjen e diktaturës totalitare komuniste, kësaj here të diktaturës autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Së treti, në atë udhëtim ku unë me mikun tim të ndjerë Gramoz Pashko shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA, thashethemi dhe i tëri establishmenti u tërbuan kundër nesh. Ata lëshuan ndaj meje dhe Gramoz Pashkos të gjitha epitetet e tradhtisë, agjenturës, etj, etj, por kësaj radhe nuk ishin më të pakëta. E vërteta është që në Makondën e Kolonel Buendias, kësaj radhe, të themi të vërtetën, për shkak të shumësisë së medieve ishin edhe më të shumta
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






