

ROSKOVEC – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Suk të Roskovecit, ku një 52-vjeçar ka plagosur me mjet prerës ish-vjehrrin e tij. Autori i dyshuar, i identifikuar si Bledar Bakaj, është arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit vetëm 30 minuta pas ngjarjes.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia, ngjarja u regjistrua rreth orës 22:30. Bledar Bakaj ka shkuar në banesën e shtetasit Enver Grembi (ish-vjehrrit të tij, 67 vjeç), duke thyer kështu haptazi urdhrin e mbrojtjes që ishte caktuar nga Gjykata në favor të ish-bashkëjetueses së tij (vajza e 67-vjeçarit).
Pas mbërritjes në banesë, mes tyre ka nisur një konflikt për motive të dobëta, i cili ka degjeneruar në dhunë fizike. Gjatë përplasjes, Bakaj ka goditur 67-vjeçarin në këmbë me një mjet prerës (drapër).
Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier organizuan operacionin dhe bënë të mundur kapjen e 52-vjeçarit afër banesës së tij në fshatin Mbërsh.
Ndërkohë, i plagosuri Enver Grembi u dërgua menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, sipas bluzave të bardha, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Bledar Bakaj do të përballet me drejtësinë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






