

TIRANË – Policia e Tiranës ka neutralizuar dhe vënë në pranga autorin e një alarmi fals për bombë, i cili shkaktoi panik mëngjesin e sotëm në shkollën "Emin Duraku". Në pranga ka rënë shtetasi Mandi Jatagani, pas një operacioni të përbashkët të bluve të kryeqytetit dhe shërbimeve të Antiterrorit.
Policia e Shtetit lëshoi këtë komunikatë ku jep versionin e saj:
Specialistët e Njësisë Antiterror arrestuan për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, shtetasin M. J., 47 vjeç.
47-vjeçari dyshohet se, rreth orës 06:30 të datës 14.09.2026, ka telefonuar Policinë e Tiranës, duke pretenduar për terrorizëm dhe lëndë të shkatërrimit në masë, në një shkollë 9-vjeçare.
Menjëherë pas telefonatës, në shkollën e sinjalizuar, shërbimet e Policisë, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror kanë kryer veprimet e nevojshme verifikuese, nga të cilat rezultoi se informacioni ishte i rremë dhe se nuk kishte lëndë të tilla të rrezikshme.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasi M. J. e ka publikuar këtë informacion të rremë edhe në rrjetet sociale.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






