Transmetuar më 13-09-2026, 23:20

ATHINË — Shqiptari Alket Rizai, i njohur në Greqi për arratisjet e tij spektakolare nga burgjet e sigurisë së lartë, është përfshirë në një incident të ri me armë zjarri në një bar plazhi në zonën e Anavyssos në Athinë. Ngjarja ka alarmuar autoritetet helene, pasi Rizai ndodhej jashtë qelisë me leje dhe duhet të paraqitet këtë të hënë në Burgun e Domokos.

Sipas rindërtimit të dinamikës nga policia greke, konflikti nisi rreth orës 05:15 të mëngjesit për shkak të muzikës me zë të lartë në parkingun e lokalit. Pas kërkesës së pronarit për uljen e zhurmës, situata u përshkallëzua në përplasje fizike, gjatë së cilës Rizai dyshohet se nxori armën dhe qëlloi në ajër. Në konflikt u përfshi edhe një roje sigurie i lokalit me kombësi afgane, i cili po ashtu hapi zjarr.

Nga rikosheti i plumbave mbetën të plagosur dy punonjës të biznesit — një 20-vjeçar grek dhe një 41-vjeçar pakistanez — të cilët morën ndihmë mjekësore në Qendrën Shëndetësore të Kalivisë. Pas incidentit, Rizai u largua nga vendngjarja bashkë me dy shoqëruesit e tij, ndërsa roja afgan është shpallur në kërkim. Nga ana tjetër, pronari i lokalit u arrestua nga policia për dëshmi të rreme.

Autoritetet helene kanë ngritur nivelin e gatishmërisë për lokalizimin e Alket Rizait. Nëse ai nuk paraqitet brenda afatit zyrtar të së hënës në Burgun e Domokos, do të konsiderohet zyrtarisht i arratisur nga drejtësia.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit