Transmetuar më 13-09-2026, 22:38

TIRANË — Rritja e goditjeve nga drejtësia dhe shtrëngimi i lakut mbi pasuritë e paligjshme kanë filluar të zbehin interesin e eksponentëve të krimit të organizuar, të njohur si “Çunat e Londrës”, për të pastruar në Shqipëri paratë e fituara nga trafiku i kokainës dhe shtëpitë e barit në Britaninë e Madhe.

Sipas një reportazhi investigativ të gazetares britanike Daily Mail, investimet e financuara nga trafiku i drogës shtriheshin kryesisht në ndërtimin e hoteleve luksoze dhe komplekseve turistike bregdetare — struktura që shpesh frekuentoheshin edhe nga rreth 1 milion turistët britanikë që vizitojnë Shqipërinë çdo vit.

Sidoqoftë, fakti kryesor që po frenon futjen e këtyre kapitaleve është heqja e "strehës së sigurt" për asetet kriminale. Veprimtaria e strukturave të reja të drejtësisë si SPAK, në bashkëpunim me autoritetet britanike, ka sjellë një valë sekuestrimesh masive në të gjithë vendin.

Një rol përcaktues po luan edhe marrëveshja e re dypalëshe mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, e cila parashikon që të gjitha pasuritë e konfiskuara të shtetasve shqiptarë në të dyja vendet të shiten dhe të ardhurat të ndahen në masën 50 me 50 mes dy shteteve.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), deri në qershor të vitit 2026 janë sekuestruar rreth 2,500 asete me një vlerë prej më shumë se 28 milionë eurosh, prej të cilave 514 pasuri me vlerë 6.5 milionë euro janë konfiskuar përfundimisht.

Këto asete, që përfshijnë vila, hotele dhe apartamente bregdetare, po kalojnë tashmë në përdorim publik ose institucional — siç është rasti i një hoteli që iu kalua Ministrisë së Mbrojtjes apo një pronë në Tiranë e kthyer në galeri arti — duke u kthyer në një mesazh të qartë se kapitalet me burim krimin nuk janë më të mbrojtura.

Artikulli i plotë

Sa prej hoteleve të reja luksoze në Shqipëri, të mbushura me turistë britanikë, janë ndërtuar me paratë e drogës së shitur në… Britani

Me fasadën me kolona, helikopterin, pamjen nga liqeni dhe tarracën e madhe për diell, nuk është çudi që Ajman Park në Shqipëri është bërë një hit mes turistëve.

Person në kërkim: Pronari i resortit Julian Balla tani është në arrati.

Kompleksi modern i pushimeve, vetëm 20 milje në perëndim të kryeqytetit të vendit, Tiranës, ofron akomodim të nivelit të lartë për familjet, me kënde lojërash për fëmijë, vaska të jashtme me ujë të ngrohtë dhe një zgjedhje restorantesh – një italian, një steakhouse dhe një tjetër që ofron sushi.

Në rrjetet sociale, vizitorët britanikë e lavdërojnë resortin me pesë yje, ndërsa një nënë nga Bristol, e cila qëndroi atje me familjen e saj, e përshkroi atë si “mahnitës”.

Vizitorë të tillë janë pjesë e më shumë se një milion turistëve britanikë që pritet të vizitojnë Shqipërinë këtë vit, ndërsa shteti ballkanik, që jo shumë kohë më parë ishte një vend i izoluar ndërkombëtarisht nën sundimin e ashpër komunist, po shijon statusin e ri si një nga destinacionet më në modë të Europës.

Por ka një detaj thelbësor për Ajman Park, për të cilin vizitorët britanikë pothuajse me siguri nuk janë në dijeni. Sipas prokurorëve, resorti është financuar pjesërisht me miliona paund të fituara nga një mafie ndërkombëtare shqiptare e kokainës që vepronte në Mbretërinë e Bashkuar.

Dhe ky nuk është aspak i vetmi resort që pretendohet se është financuar nga droga e shitur në Britani. Një hetim i Daily Mail ka zbuluar se prej vitesh bosët e drogës dhe drejtuesit e rrjeteve të trafikimit të emigrantëve kanë kanalizuar miliarda në Shqipëri nga bizneset e tyre të paligjshme, për t’i pastruar ato në sektorët në lulëzim të ndërtimit dhe turizmit.

Rezulton se këto para të pista janë përdorur për të ndërtuar shumë nga resortet e mbuluara nga dielli përgjatë brigjeve të Egjeut dhe Jonit, të cilat gjatë gjithë verës kanë qenë plot me pushues britanikë.

Edhe një pjesë e madhe e horizontit të ri me ndërtesa shumëkatëshe në Tiranë – vetë një destinacion i preferuar për city break – është ndërtuar, sipas artikullit, me fitime të paligjshme nga shitja e drogës në Britani.

Shkalla e operacioneve të bosëve shqiptarë të drogës në Mbretërinë e Bashkuar është, sipas artikullit, alarmante. Më shumë se 450 fabrika kanabisi të drejtuara nga shqiptarë janë zbuluar në Britani gjatë katër viteve të fundit, në atë që tani është bërë themeli i një tregtie me vlerë 2.6 miliardë paund në vit.

Kur vizitova Shqipërinë këtë javë, zyrtarët atje më thanë me krenari se në vitet e fundit kanë sekuestruar 2,500 prona nga persona të dyshuar për krime, përfshirë disa resorte turistike të nivelit të lartë.

POR kjo është vetëm një pjesë e vogël e aseteve që pretendohet se financohen nga paratë e krimit. Një ekonomist llogarit se deri në 1.3 miliardë paund para kriminale në vit po futen në ekonominë shqiptare, duke shtuar se ndërtimi është “makina kryesore e larjes”.

Puna e prokurorëve që synojnë bosët e drogës pengohet, sipas tyre, nga fakti që qeveria shqiptare mbyll një sy ndaj fenomenit për shkak të investimeve të mëdha që kriminelët sjellin.

Një analist e përshkruan këtë si “pastrim parash të sponsorizuar nga shteti”. Megjithatë, autoritetet kanë ndërhyrë më në fund ndaj resortit Ajman Park në Shijak, i cili reklamohet me sloganin: “Relaksohu në parajsë”.

Pronari i tij, Julian Balla, është në arrati dhe kërkohet nga prokurorët shqiptarë për lidhjet e dyshuara me një nga rrjetet më të fuqishme në botë të trafikut të kokainës, si dhe për trafik të dyshuar droge dhe pastrim parash.

Zyrtarët sekuestruan resortin, së bashku me një sërë pronash të tjera, vitin e kaluar, si pjesë e hetimit të vazhdueshëm mbi operacionin global të kontrabandës, i cili, sipas tyre, drejtohej nga vëllezërit shqiptarë Franc dhe Hajdar Copja nga një shtëpi në Tottenham, në veri të Londrës.

Së bashku me një të dënuar për vrasje të quajtur Ervis Çela, ata akuzohen se kanë përdorur një rrjet prej 30 bashkëpunëtorësh për të trafikuar kokainë me vlerë miliarda paund nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Një pjesë e madhe e drogës u trafikua drejt Mbretërisë së Bashkuar, tregu më fitimprurës për një perandori kriminale aq të fuqishme sa vendimet e saj, sipas artikullit, ndikojnë në çmimet e kokainës në të gjithë Europën.

Në vitin 2024, dy vëllezërit Copja u akuzuan nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri për shtatë vrasje dhe dy tentativa vrasjeje, si dhe për trafik droge dhe pastrim parash.

Franc, vëllai më i vogël, akuzohet se ofroi 4.3 milionë paund për vrasjen e drejtuesit të një rrjeti rival trafikimi, si pjesë e një lufte të dhunshme mes bandave, pasi një ngarkesë prej 50 kg kokainë u zhduk gjatë rrugës për në Britani.

Prokurorët pretendojnë se bosët e drogës fitonin aq shumë para sa mesazhet e tyre në rrjetet sociale tregojnë se ata grindeshin nëse duhej t’i fshihnin paratë nën ullinj në Shqipëri apo t’i kthenin në lingota ari.

Në vend të kësaj, ata zgjodhën pronat, ndërsa Franc, sipas pretendimeve, kanalizoi të paktën 6.4 milionë paund në një sërë projektesh ndërtimi të nivelit të lartë në Shqipëri.

Këto përfshinin katër vila me vlerë 1.5 milionë paund secila në një kompleks luksoz të quajtur Mandarine Drive, në një periferi të pasur të Tiranës, një apartament bregdetar në perëndim të Shqipërisë dhe Solis Farm, një resort agroturizmi pranë kryeqytetit, i cili përfshinte hotel, bujtinë, vila pushimi, bar dhe restorant.

Aktivistët kundër korrupsionit pretendojnë gjithashtu se banda ishte shumë e përfshirë në zhvillime të fundit turistike në Ksamil, resorti në detin Jon i quajtur “Maldivet e Europës” – megjithëse këto nuk ishin pjesë e sekuestrimeve të prokurorisë.

Mesazhe të përgjuara pretendohet se tregojnë Francin duke i thënë një bashkëpunëtori se ishte i gatshëm të siguronte para “në çdo kohë dhe për çfarëdo shume”, pasi ishte pyetur nëse mund të investonte pothuajse 2 milionë paund në një pallat të ri në Tiranë.

Franc Copja u dënua me burgim të përjetshëm në Belgjikë më herët këtë vit, pasi u shpall fajtor për një vrasje të veçantë atje. Vëllai i tij, për të cilin informacioni i fundit ishte se ndodhej në Dubai, vazhdon të jetë në kërkim.

Sa i përket Ervis Çelës, i cili tashmë ishte në arrati për vrasje dhe rrëmbim në Itali, ai ndodhet në paraburgim në Shqipëri në pritje të gjykimit.

Historia e jashtëzakonshme se si shqiptarët me bazë në Mbretërinë e Bashkuar nxitën një bum pronash në vendin e tyre daton nga fundi i viteve 1990, kur vala e parë e emigrantëve mbërriti në Britani dhe filloi të dërgonte para për ndërtimin e shtëpive të mëdha familjare.

Siç pashë këtë javë, Tirana dhe qytete të tjera janë të mbushura me vila të mëdha që datojnë nga kjo periudhë, shpesh të pabanuara dhe vetëm pjesërisht të përfunduara, sepse pronarët e tyre ende jetojnë jashtë vendit.

Por biznesi i ndërtimit mori hov të vërtetë rreth një dekadë më parë, kur bandat shqiptare filluan të dominojnë industrinë e kokainës dhe kanabisit në Europën Perëndimore – veçanërisht në Britani.

Me kaq shumë para për të pastruar, bosët e krimit filluan të investojnë në shkallë të gjerë.

“Vlerësimet janë se qindra miliona paund po largohen nga Mbretëria e Bashkuar dhe po përfundojnë në Shqipëri, ku më pas gjysmëlegalizohen ose përmes sistemit bankar, ose përdoren për të paguar punime ndërtimi,” tha në vitin 2022 Steve Brocklesby, menaxher i inteligjencës në Agjencinë Kombëtare të Krimit britanik, NCA.

Ndërsa pjesa më e madhe e këtij aktiviteti kryhet nga grupe shqiptare të krimit të organizuar, kishte gjithashtu “shenja” se edhe mafia italiane po përfitonte nga kontrollet e dobëta.

“Rreziqet kanë qenë të ulëta, në mos zero,” thotë Neritan Sejamini, analist politik shqiptar.

“Ishte e lehtë të vije në Shqipëri, të aplikoje për një leje ndërtimi, të ndërtoje godinën, ta shisje dhe të shijoje fitimet.

Dhe, për fat të keq, ekonomia shqiptare po bëhet e varur nga kjo. Nga kjo vijnë shumë taksa, kështu që qeveria nuk ka nxitje për t’i kufizuar apo goditur këto aktivitete të paligjshme.”

Z. Sejamini tha se ishte domethënëse që asnjë nga agjencitë qeveritare, puna e të cilave është të kontrollojnë pastrimin e mundshëm të parave, nuk kishte “ngritur flamurin e kuq” gjatë miratimit të projekteve të ndërtimit.

Në fakt, siç theksuan për Daily Mail edhe aktivistë të tjerë shqiptarë kundër korrupsionit, asetet e dyshuara të grupit kriminal Copja u zbuluan vetëm pasi hetuesit francezë depërtuan në sistemin e tyre sekret të mesazheve.

Po kështu, shumë raste të tjera të dyshuara të pastrimit të parave që ndiqen në Shqipëri nisin vetëm pasi kriminelët arrestohen në vende të tjera dhe të dhënat e tyre u kalohen autoriteteve në Tiranë.

Skema, sipas artikullit, ka deformuar të gjithë ekonominë e vendit.

Në vitet e fundit, leku shqiptar është forcuar ndjeshëm kundrejt euros dhe paundit, pavarësisht produktivitetit të ulët të vendit dhe deficitit tregtar të vazhdueshëm – faktorë që normalisht duhet ta çonin monedhën drejt zhvlerësimit.

Edhe bumi i ndërtimit bie ndesh me rregullat e zakonshme të ofertës dhe kërkesës, pasi rritja e ndërtimit të apartamenteve luksoze ka vazhduar edhe kur rritja e popullsisë së vendit është ndalur.

PAVARËSISHT disa sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shtetëror, fluksi i parave mes Britanisë dhe Shqipërisë nuk tregon shenja ndalimi.

Video në TikTok të parë nga Daily Mail tregojnë persona të dyshuar si kriminelë shqiptarë që operojnë në Britani duke ekspozuar tufa kartëmonedhash prej 20 paundësh, ndërsa përgatiten t’i dërgojnë ato në vendin e tyre.

Një prej videove përfshinte një këngë popullore shqiptare me tekstin:

“Paraja nuk flet, por kontrollon sistemin. Kur ke një problem të madh, paraja e zgjidh.”

Pra, si arrijnë kriminelët me bazë në Mbretërinë e Bashkuar t’i kanalizojnë fitimet e tyre të paligjshme drejt Shqipërisë?

Disa përdorin korrierë për të kontrabanduar para fizike.

Në vitin 2018, vëllezërit shqiptarë Jak dhe Gjelosh Kolicaj u dënuan për kontrabandimin e 7 milionë paundëve jashtë Mbretërisë së Bashkuar, duke përdorur një rrjet korrierësh që transportonin tufa kartëmonedhash të mbështjella me paketim ngjyrë kafe, të fshehura në një valixhe, e cila më pas vendosej brenda një valixheje të dytë të jashtme.

Nga baza e tyre në Peterborough, ata organizuan 80 udhëtime gjatë dy viteve drejt vendeve përfshirë Belgjikën dhe Greqinë, për transport të mëtejshëm drejt Shqipërisë.

Ndërsa fitimet e paligjshme u bënë shumë të mëdha për t’u transportuar fizikisht, shumë prej tyre nisën të përdorin Hawala, një sistem informal transferimi parash që përfshin një rrjet ndërkombëtar ndërmjetësish, të cilët operojnë mbi bazën e besimit për të anashkaluar sistemin tradicional bankar të gjurmueshëm.

Më së fundmi, NCA dyshon se bandat po përdorin kriptomonedha për të transferuar para pa pengesa nga një shtet në tjetrin, pa u zbuluar.

Vëllezërit Copja përdorën një kombinim të këtyre metodave, ndërsa prokurorët sekuestruan kriptomonedha me vlerë 7.3 milionë paund, si dhe më shumë se 1 milion paund në para cash, të cilat dyshohet se u nxorën fshehurazi nga Mbretëria e Bashkuar dhe u kthyen në Shqipëri përmes rrjetit të tyre të korrierëve.

Është një tablo e zymtë. Por disa po kundërpërgjigjen.

Risena Xhaja, drejtuesja e Agjencisë Shqiptare të Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, këtë javë i tregoi Daily Mail një katalog të posaçëm me shkëlqim, ku paraqiteshin ato 2,500 prona dhe asete me vlerë 24 milionë paund, të cilat prokurorët kanë sekuestruar gjatë dekadës së fundit, pasi dyshohet se janë paguar me para të krimit.

Asetet përfshijnë një sërë hotelesh të shtrenjta, vilash, zhvillimesh bregdetare dhe apartamentesh buzë detit në të gjithë vendin.

Rreth 300 prej pronave të sekuestruara ose të konfiskuara janë dhënë me qira, ndërsa të tjera janë shitur në ankand, tha znj. Xhaja.

Një hotel iu dha Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë që të përdorej nga oficerët për pushime dhe konferenca trajnimi.

Ndërsa një pronë në Tiranë është kthyer tashmë në galeri publike.

Ka pasur edhe suksese të tjera.

Emiljan Shega u dënua me dhjetë vite burg për trafik kokaine në veri të Londrës në vitin 2013, si pjesë e një bande që fitoi dhjetëra milionë nga krimi.

POTHUAJSE një dekadë më vonë, një gjykatë shqiptare sekuestroi asete me vlerë rreth 2.5 milionë paund që ai zotëronte në Shqipëri, përfshirë një vilë, tre apartamente dhe sipërfaqe të mëdha toke.

Çështja është aq e rëndësishme sa muajin e kaluar qeveritë britanike dhe shqiptare përshëndetën një marrëveshje “historike” për të ndarë të ardhurat nga pasuritë kriminale të sekuestruara nga bandat që operojnë mes dy vendeve.

Qeveria britanike tha se marrëveshja dërgonte një “mesazh të qartë për kriminelët se autoritetet britanike dhe shqiptare do të ndjekin fitimet e krimit të organizuar dhe do të bashkëpunojnë përtej kufijve”.

Znj. Xhaja ishte po aq optimiste, duke e përshkruar zhvillimin si një “ndryshim loje”.

Megjithatë, ndërsa nuk vihet në dyshim vendosmëria e saj apo puna e palodhur e ekipit të saj, ekspertë të tjerë ishin më pesimistë.

Z. Sejamini thotë:

“Kjo mund t’i bëjë kriminelët të hezitojnë, gjë që është pozitive, por a do ta zgjidhë vërtet problemin? Jo.”

Ai shtoi se që kjo të ndodhë ndonjëherë, “duhet që e gjithë qeveria të veprojë dhe të bëjë atë që qeveria duhet të bëjë – të luftojë krimin, përfshirë pastrimin e parave”.

Kur Daily Mail vizitoi Ajman Park javën e kaluar, vendi ishte plot me një përzierje mysafirësh të hotelit dhe banorësh vendas që shijonin kokteje në bare dhe darkonin në tarracën e hapur.

Një nga punonjësit e buzëqeshur tha se shpesh mirëprisnin pushues britanikë që i pëlqenin dhomat “e jashtëzakonshme” të hotelit.

Por, njësoj si vizitorët nga Mbretëria e Bashkuar, edhe ky punonjës nuk kishte asnjë ide se kush e zotëronte resortin apo si ishte financuar ai.

Në fund të fundit, kopshtet e kuruara dhe shatërvanët e Ajman Park janë një botë krejt tjetër nga rrugët e zymta dhe të mbushura me kriminalitet të veriut të Londrës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit