

Ekipi i Laçit ka marrë një fitore të rëndësishme në shtëpi me shifrat 2-0 kundër Vllaznisë, në përballjen e vlefshme për javën e katërt të kategorisë “Abissnet Superiore”. Ndeshja u karakterizua nga tensioni i lartë, ndërprerjet e gjata dhe vendimet disiplinore në pjesën e dytë.
Pas një fraksioni të parë të mbyllur pa gola, Laçi kaloi në avantazh në minutën e 50-të me anë të Cenës. Situata për Vllazninë u vështirësua më tej në minutën e 71-të, kur futbollisti Mehmeti u ndëshkua me karton të kuq të drejtpërdrejtë nga gjyqtari Kreshnik Cjapi, duke i lënë shkodranët me 10 lojtarë në fushë.
Ndeshja u ndërpre përkohësisht në minutën e 82-të për shkak të hedhjes së sendeve në fushë nga tifozët, çka detyroi zyrtarët e takimit të kërkonin zbrazjen e një pjese të tribunës.
Pas rifillimit të lojës, Laçi realizoi golin e dytë me anë të Traore në minutën e 88-të. Pavarësisht se gjyqtari akordoi një shtesë rekord prej 19 minutash lojë, rezultat përfundimtar mbeti i paprekur deri në vërshëllimën përfundimtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






